Futboll Kategoria Superiore Sport

NOTAT E SUPERIORES/ Asnjë dyshim pas derbit se kush është më i miri, “Demat” prekin fundin me kampionët

Java e 15 e Superiores ka dhuruar një tablo të qartë të formës që po kalojën skuadra të ndryshme në këtë moment të sezonit dhe treguesi kryesor nuk kishte si të mos ishte derbi. Tirana kthehet bindshëm në krye të skuadrave më të vlerësuara të javës, ndërsa Partizani prek fundin, bashkë me Teutën si ekipet ngelëse të kësaj jave në notat e “Panorama Sport”.

TIRANA 8 – Dy fitore radhazi në derbi, ashtu si në sezonin e titullit. Bardheblutë treguan supermaci ndaj Partizanit, pasi nuk u dorëzuan kurrë për të shkuar te fitorja, në një ndeshje ku edhe barazimi iu shkonte përshtat. Trajneri Orges Shehi guxoi me treshen sulmuese Xhixha-SeferiNgo dhe e goditi Partizanin pikërisht atëherë kur ndoshta një pikë dukej e pranueshme për mënyrën se si rrodhi loja. Tirana shkon e qetë në pushime tashmë, me +5 pikë nga ndjekësit.

EGNATIA 7.5 – Fitore pas dy muajsh dhe për më tepër ndaj kampionëve në fuqi, Teutës. Trajneri Zekerija Ramadani kishte besuar se kthesa do të vinte shpejt dhe tri pikët në ndeshjen e fundit për këtë vit ishin si qershia mbi tortë pas asaj krize rezultatesh me humbje radhazi. Heroi i rrogozhinasve ishte sulmuesi Artur Magani, i cili shënoi dy herë.

LAÇI 7 – Regi Lushkja merr për dore kurbinasit ndaj Kastriotit, duke u konfirmuar si lideri i kësaj skuadre në mesfushë. Fantazisti shënoi dy gola të bukur, ndërsa Laçi tregoi se edhe kur nuk bën lojën e zakonshme, sërish merr 3 pikë. Tashmë futet në luftë për kreun.

SKËNDERBEU 6 – Merr një pikë ndaj Dinamos, por me rastin e humbur në fund nga Alfred Mensah, keqardhja është e madhe pse nuk u fitua ky takim. Megjithatë, barazimi për korçarët është pozitiv, për vetë faktin se i mban poshtë rivalët direkt në luftën për mbijetesë.

KUKËSI 6 – Në Shkodër arrin të marrë një barazim me shumë sforco, por edhe falë një super-Tafas, që bëri pritje të jashtëzakonshme, duke mohuar gola të sigurt për Vllazninë. Sulmuesi moldav, Artiom Puntus, ka meritën, teksa shënoi pas një veprimi të shkëlqyer në zonë.

VLLAZNIA 5.5 – Dominon për shumë minuta, shënon dhe më pas shpërdoron pa fund. Pas një starti fantastik dhe avantazhit me Latifin, më pas shkodranët dënohen nga ligji i pashkruar i futbollit që po nuk shënove, do ta pësosh. Shkodranët lanë dy pikë që do t’i “qajnë”.

DINAMO 5 – Bën një pjesë të parë të mirë, por nuk di të shënojë. Edhe atëherë kur Siljanovski realizoi një supergol, sistemi VAR u tregua i pamëshirshëm. Një pikë ndaj Skënderbeut nuk i shkon përshtat Dinamos, që është ndërtuar për të qenë lart në tabelë, por me këtë ecuri rrezikon seriozisht të përfshihet në zonën e mbijetesës.

KASTRIOTI 4.5 – Krutanët zhvilluan në Laç një prej ndeshjeve më të mira në transfertë këtë kampionat, por u ndëshkuan nga dy episode prej gafave në mesfushë. Qëndrimi në elitë duket si mision i pamundur.

TEUTA 4 – Durrsakët janë totalisht në krizë. Ndaj Egnatias bëjnë gabime pa fund dhe nuk tregojnë as shpirt gare për të evituar të paktën humbjen. Gafa e Ivanoviçit vulosi ditën e errët të kampionëve.

PARTIZANI 4 – E nisi lojën me rast për gol dhe u zbeh në derbi me kalimin e minutave, duke merituar humbjen. “Demat” dhanë sinjale alarmi për të ardhmen, duke mos mbajtur dot as barazimin.

Related posts

ZYRTARE/ Kontratë deri në vitin 2023, mesfushori firmos me Kukësin

Delo.autor

UELLSIANI KRITIKOHET NGA TË GJITHË/ Courtois sulmon: Ai ka një talent të madh por është mëkat që…

Delo.autor

BARCELONA NË UDHËKRYQ/ Bordi drejtues i klubit merr vendimin e fundit për presidentin Bartomeu

Delo.autor

Leave a Comment