Futboll Kategoria Superiore Sport

“NUK DO T’I THOJA “JO” PARTIZANIT”/ Shpëtim Duro skicon formacionin e Superiores (E PLOTË)

Shpëtim Duro ka qenë i ftuar në emisionin “Sport News” të moderatores Enxhi Biba në televizionin “NEWS 24” duke analizuar krizën e Partizanit, largimin e trajnerit Ilir Daja dhe problemet në menaxhimin e lojtarëve me përvojë. Gjithashtu Duro ka dhënë dhe një koment që nuk do ta refuzonte një ofertë të Partizanit për tu ulur në stol:

“Situata e Partizanit ka qenë e keqe dhe e vështirë në këto javë të kampionatit. Ka qenë performanca më e dobët në epokën e presidentit Gaz Demit prej 9 vitesh. Vulën e vuri derbi i fundit ndaj Tiranës. Tani situata është agravuar shumë, ishte e pashmangshme largimi i trajnerit.

Ndoshta ndërhyrja duhej të ishte më parë sepse tani Partizani është larguar nga objektivi për titull, është 15 pikë. Një nga skuadrat më të shtrenjta të Superiores të jetë në diferencë me Tiranën, 15 pikë është shumë. Këto ditë janë lakuar shumë emra në portale për tu ulur në stolin e Partizanit, ku ndër to jam dhe unë.

Jam i preferuari gjithmonë për tifozët e Partizanit ka sigurisht dhe kundër meje. Pjesa më e madhe e lojtarëve të Partizanit i kam drejtuar në shumë skuadra të ndryshme. Nuk jam ndier mirë me luftën e portaleve, nuk ka rëndësi se kush do të jetë trajner. Ato janë vendime të presidentit dhe të drejtorit të përgjithshëm.

Unë vij pas një eksperiencë fantastike me Laçin si në kampionat dhe në Europë dhe t’i thuash ‘JO’ Partizanit, por shikoj që ‘hallva’ është e ftohtë. Nuk kam kontakt me drejtuesit dhe presidentin dhe këto teoritë nuk merren për bazë. Të jemi realist që i dimë aftësitë e Kaçes, unë them që këto janë futbollistë që duhet t’i japësh ‘çelësat’ deri sa ai të bindet që ai nuk kontribuon për ekipin e Partizanit. E njëjta situatë ka ndodhur edhe me Ferhan Hasanin.

Unë e njoh shumë mirë se e kam marrë te Shkëndija e Tetovës nga Danimarka. Ka ardhur me një gjendje të dobët te Partizani, por duhet t’i fitosh këto futbollistë me përvojën, eksperiencën. Ka pasur probleme menaxhimi me këto lojtarë me shumë përvojë.”, tha Shpëtim Duro.

“Shehin do ta komplimentoj për këtë fazë të kampionatit. I kam parë të gjitha ndeshjet që i ka drejtuar me vendosmëri, por e përgjithshmja është pozitive. Ka ndërtuar një fizionomi loje, që nuk është më e frikshmja në aspektet sulmuese por është shumë e ekuilibruar. Ka meritë të padiskutueshme sëbashku me stafin. Ka stabilizuar mbrojtjen dhe mesfushë. Tirana është favoriti kryesor, por mos harrojmë Kukësi, Laçin dhe Vllazninë që i ka afër.”

“Tiranën nuk e shqetëson situata, ka mungesë në mbrojtje me Najdovskin. Ngo nuk ka qenë protagonist në këtë fazë, por është i nevojshëm. Na ata pozicion ka përdorur dhe Seferin, por trajneri është i qetë sepse mund të mendojë vetëm për një alternativë të Ngosë. Kurse pjesën tjetër të skuadrës e ka me 3-4 lojtarë të rinj me shumë perspektivë. Do të veçoja Gjumsin, ka një pjekuri të jashtëzakonshme.”

“Të tre ekipet kanë bërë mirë, unë do qëndroja tek Laçi. E kam thënë që nëse nuk do kishte problemet e fillim sezonit, do ishte aty afër me Tiranën. Kukësi ka ndryshuar shumë skuadër dhe ka marrë lojtarë cilësorë. Do ndikojë dhe fakti që do luajnë në stadiumin e tyre. Duhet ta shfrytëzojnë. Vllaznia është skuadra më cilësore duke ju referuar kampionatit të kaluar, por dhe prurjeve për këtë vit. Por kanë defiçit pikësh. Ardhjet e këtij sezoni kanë qenë cilësore, si Dinje për shembull. Latifi gjithashtu dhe Hakaj që është një ndër më të mirët në rolin e vet.”

“Mendoj që Partizani dhe Teuta me 18 pikë i kanë larë duart për titullin kampion. Unë them që Teuta pati disa ndryshime nga sezoni i kaluar. Teuta doli kampion sezonin e kaluar, por u ndal në ndeshjen e fundit. Largimi i Bregut ka qenë deçisive në organikën e skuadrës. Dinamo me Egnatian më kanë zhgënjyer sepse kanë afruar futbollistë. Skënderbeu është si vjet. Ka lojtarë cilësorë, kështu që do jetë një luftë e ashpër midis vendeve të fundit.”

Formacioni i 15 javëve nga Shpëtim Duro

“Përjashtoj lojtarët e Partizanit dhe Teutës nga ky formacion. Do të përqendrohem tek skuadrat e para. Nuk do i referohem vetëm 15 javëve të kampionatit, por dhe periudhës së kupave të Europës. Tek sulmi kam një mëdyshje midis Guindo dhe Seferit.”

“Kam aktivizuar Guindon për arsye se ka po aq ndeshje sa Seferi, por ka zhvilluar dhe 6 ndeshje ndërkombëtare, ku ka qenë ndër më të mirët. Ndihem krenar sepse në periudhën e verës kam qenë skeptik për ta marrë tel Laçi.”

Bekaj në portë. Në krahë janë Gurishha dhe Hakaj të Vllaznisë. Hoxhallari dhe Dinje në qendër të mbrojtjes. Treshja e mesfushës është Gjelbrim Taipi, që thonë se është ndër më të mirët e Superiores. Totre i Tiranës dhe Lushkja kompletojnë mesfushën momentalisht.

Në sulm kam vendosur Latifin nga e djathta, Gundon në qendër dhe në të majtë Mazrekajn. Ky fundit ka qenë ndër më të mirët tek Laçi. Bën diferencë. Trajner padyshim do vendosja Shehin.

Related posts

PA FAT BRIKEN CALJA! vetëm 1 kg i heq medaljen Olimpike, e mbyll në vendin e katër

F.autor

QUAGLIARELLA SFIDON MOSHËN/ Sulmuesi veteran u bashkohet legjendave të Serisë A pas golit ndaj Beneventos

Delo.autor

SIPAS PRESTIGJOZES “L’EQUIPE”/ Ky është top-formacioni më i mirë për vitin kalendarik që shkoi

Delo.autor

Leave a Comment