Futboll Kategoria Superiore Sport

“PARTIZANI DO TË JETË NDRYSHE”/ Allmuça: Kupa si shpëtim për Dinamon

Tri klubet e kryeqytetit këtë sezon duket se nuk kanë arritur të ndjekin të njëjtën rrugë. Nëse Tirana arrin të menaxhojë rezultatet negative dhe të mbajë kreun, ndryshe ndodh me Dinamon dhe Partizanin. Ish-lojtari i të tria ekipeve, Igli Allmuça, në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”,i ka bërë një analizë të përgjithshme ecurisë së tyre deri më tani në Superiore.

Sipas tij, humbja me Laçin nuk do e tronditë Tiranën. Allmuça shton se Partizani ka gjetur vazhdimësinë dhe Kupa është “varka e shpëtimit” për Dinamon.

E meritoi Partizani fitoren ndaj Dinamos apo me rastet e humbura nga blutë një barazim do të ishte më i drejtë?
Rivaliteti në Superiore është shumë i madh për kreun, Europën, por edhe për fundin e tabelës dhe mendoj se kështu do të shkojë deri në fund. Në raport me nivelin e lojës Partizani ishte më mirë se Dinamo, pavarësisht se blutë ishin më mirë në krahasim me ndeshjet e fundit të tyre.

Kishte ndryshim për mirë. Gjithsesi, Partizani e meritoi fitoren. Raste kishte edhe Dinamo dhe mund të fitonte me episodet që krijoi, por në tërësi Partizani e meritoi.

A i vuri “kapakun” fitorja ndaj Dinamos krizës së Partizanit?
Një skuadër duhet të ketë vazhdimësi dhe Partizani në javët e fundit ka pasur vazhdimësi. Tashmë është në gjendje të rikuperojë pikët që ka lënë në javët e para. Tani renditjen nuk e ka të mirë prej gabimeve në nisje të sezonit, por jo për ndeshjet e fundit. Të barazosh me Laçin dhe të mundesh me Vllazninë unë mendoj se është normale për çdo ekip të Superiores, edhe për pretendentët e tjerë.

Si i parashikoni sfidat e fundit të këtij viti te të kuqtë?
Partizani tashmë ka përballë dy skuadrat më konstante në lojë dhe rezultat, Kukësin dhe Tiranën. Janë dy ndeshje mes rivalëve dhe asnjëherë nuk bën dot parashikim. Partizani kishte shumë rrjedhshmëri në lojë, vetëm saktësia i mungoi, por krijoi shumë raste. Unë mendoj se këtej e tutje ata do të jenë një tjetër ekip në krahasim me skuadrën e fazës së parë.

Daja është shprehur se Hoxha do të kthehet në portë kur të gabojë Teqja. Si e komentoni këtë vendim të tij?
Ne që jemi jashtë, mund të flasim vetëm për atë që shohim nga larg. Nuk e di çfarë ka ndodhur atje. Atë e dinë vetëm protagonistët.

Pas kësaj humbjeje, Dinamo është në krizë. Si mund të dalin blutë nga kjo situatë?
Merkato e janarit zakonisht nuk ka prurje të shumta sepse në këtë periudhë lëvizin vetëm lojtarët që nuk kanë minuta dhe nuk janë në formë të mirë. Ndërsa lojtarët protagonistë, që kanë luajtur dhe kanë bërë mirë, nuk besoj të ketë ekip që të luajë mendsh dhe t’i lërë të lirë. Ndoshta zgjidhja do të ishte vetëm merkatoja e huaj. Varet nga buxheti që do të kenë.

Dinamo ka njëfarë grupi, por është gabuar me pretendimet. Kanë ardhur shumë lojtarë të mirë, por ata duan kohë, duhet të fitojnë në karrierën e tyre për të fituar mentalitet. Shumica dërrmuese e tyre nuk janë shpallur ndonjëherë kampionë.

Mos ishte e tepërt të pretendonin titullin që në sezonin e parë të kthimit në Superiore?
Mund ta pretendosh titullin sepse Kukësi nuk kishte qenë asnjëherë në Superiore dhe që në vitin e parë doli nënkampion dhe shkoi në “play off” të Europa Ligës, e jo më Dinamo, që ka 18 tituj kampion mbi supe. Pa dyshim që do kohë, por deklarimet për kampion e vënë në presion skuadrën sepse nuk ka ishkampionë, po të ishte treguar pak më modest në objektiva, do të ishte shumë më mirë. Sa më shumë pritshmëri të kesh, aq më shumë presion ka, dhe për ta zgjidhur këtë duhet të kesh lojtarë që kanë fituar në karrierë dhe e mbajnë këtë presion.

Dinamo ka një shans të madh për të kapur Europën përmes Kupës. Është e vështirë të pretendosh përmes kampionatit sepse rivalët e tjerë janë shumë të fortë dhe të konsoliduar. Ka shansin e madh që është në Kupë sepse po të ishte eliminuar në këtë kompeticion, ky sezon do të ishte i dështuar.

Fitimi i Kupës do të mbulonte boshllëqet e krijuara nga kampionati. Ka Partizanin përballë, një kundërshtar të fortë, por unë besoj se pas janarit skuadra do të ndryshojë për mirë, gjërat do të rregullohen te Dinamo. Nuk është se Dinamos i mungojnë financat.

Me këtë humbje ndaj Laçit, a tregoi Tirana se nuk është në gjendje të krijojë diferencën dhe do t’i duhet të luftojë dhëmb për dhëmb për titullin deri në fund?
Edhe pse u mund nga Laçi, mendoj se Tirana është skuadra më stabël dhe më e konsoliduar. Janë në vendin e parë dhe gjatë historisë së futbollit Tirana ka treguar se kur e merr vendin e parë, nuk e lëshon më deri në fund. Këtë e tregoi edhe para dy sezonesh kur u shpall kampione.

Plus ka një skuadër shumë të kompletuar dhe është punuar shumë mirë nga trajneri. Sigurisht ka meritë klubi që i dha mundësinë Shehit sepse Tirana zakonisht nuk ka duruar shumë me trajnerët. Si duket klubi e ka kuptuar se nuk varet çdo gjë nga trajneri ndonjëherë dhe e ka parë punën e Shehit e i ka besuar sërish. Shehi nuk bën shumë bujë, është gjithmonë me këmbë në tokë, sheh ndeshjen e radhës.

Një nga “xhevahirët” bardheblu, me shumë mundësi Ismajlgeci, do të largohet në janar. Do të ndikojë kjo tek ecuria e Tiranës?
Një lojtar që shitet me shuma të mëdha për kampionatin tonë, është diçka pozitive dhe i bën mirë futbollit tonë. Tirana vitet e fundit po bën mirë sepse shet, por edhe po fiton. Është një skuadër, që fiton dy tituj brenda sezonit, fitoi Superioren, shiti edhe një lojtar. Nëse e bën edhe këtë vit do të ishte sezon fantastik.

Related posts

DUELI “TITANËSH”/ Fury zbulon dietën dhe regjimin stërvitor: Masturbohem 7 herë në…

Delo.autor

Real Madrid rifillon bisedimet për Neymar, gati të paguajë shifrën e ‘frikshme’ për të

Q.Autor

Formacioni i Unitedit për ndeshjen ndaj Crystal Palace (FOTO)

Q.Autor

Leave a Comment