Futboll Sport

SPANJA MBAN FRYMËN/ Sonte derbi i Madridit. Benzema-Suarez, ujqërit në skenë…

Nëse kalon në kafet e Madridit këto ditë, ato që do të dëgjosh janë: Simeone-Ançeloti; Zhoao Feliks-Vinicius, por mbi të gjitha Suarez-Benzema! Po, pasi kjo është fundjava e derbit, ajo që do të ndezë një qytet të përjetshëm, mbretëror… Kur bëhet fjalë për Realin, jo vetëm Madridi e Spanja, por e gjithë Europa dhe bota ndalon.

Aq më shumë kur “Galaktikët” kërkojnë të rifitojnë jo vetëm fronin në La Liga, por në të njëjtën kohë edhe fronin e Madridit, pasi Atletiko është kampionia në fuqi dhe diçka të tillë ata të Realit nuk e kapërdijnë lehtë.

ADVERTISEMENT
Gjithsesi, sivjet panorama duket shumë e bukur, pasi skuadra e Karlo Ançelotit jo vetëm kryeson dhe ka një avantazh prej 10 pikësh nga formacioni i Diego Simeones, por duket se ka vrarë përpara kohe edhe kampionatin (8 pikë avantazh nga Sevilja e vendit të dytë).

Ndaj, edhe derbi i së dielës merr një rëndësi më të veçantë, pasi me një fitore Reali do të nxirrte përfundimisht nga gara për titull Atletikon ose duke fituar këta të fundit do të rihapnin kampionatin. Prandaj, në orën 21:00 në “Santiago Bernabeu” luhet më shumë sesa thjesht për tri pikë, ndonëse ka 4 duele që pritet të vendosin duelin.

ANÇELOTI-SIMEONE – Italiani dhe argjentinasi janë si dy faqet e një monedhe, totalisht të ndryshme në filozofinë e lojës së tyre. Për Karlo Ançelotin fjalët janë të pakta: Në stol fitoi gjithçka që ofron arena ndërkombëtare me Milanin, por edhe në Madrid ka shkruar emrin e tij më germa të arta, duke fituar të dhjetin Champions të Realit.

Madje, ishte pikërisht “Karleto” ai që Simeones i mohoi 20 sekonda nga fundi fitoren historike të Champions-it nga Atletiko, në finalen e vitit 2014, teksa “Çolo” kishte sjellë titullin kampion në radhët e “Colchoneros” dhe u përsërit duke qenë edhe kampioni në fuqi i Spanjës. Prandaj, me dy trajnerë të hidhur dhe dinakë si këta, paparashikueshmëria është kryefjala e derbit të së dielës.

KURTUA E OBLAK – Fakti që Atletiko do të ketë mungesa të shumta në mbrojtje, trajneri Simeone beson tek Oblak për të kyçur portën përpara forcës goditëse të Benzemasë me shokë. Nga ana tjetër, Reali shpreson që saraçineskën ta bëjë Kurtuaja, ish-i i madh i kësaj ndeshjeje, i cili që kur është larguar nga “Colchoneros”-at, nuk është se ka ruajtur ndonjë nostalgji të madhe për skuadrën dhe aq më tepër me tifozërinë.

VINICIUS-FELIKS – Po kë duhet të ndalin dy portierët më të fortë të Spanjës? Kurtua dhe Oblak duhet të ruhen nga çdo cep, sepse nëse vëmendja më e madhe e mbrojtjeve respektive do të jetë te dy ujqërit e zonës, Karim Benzema dhe Luis Suarez, pa dyshim që surprizat dhe rreziqet e tjera të mëdha janë Vinicius për Atletikon dhe Zhoao Feliks për portën e Realit. Braziliani i “Los Blancos” po ecën me një mesatare madhështore realizimi sivjet, prandaj Simeone duhet të mendojë se si të krijojë dy kafaze në fushë, pasi një nuk do të mjaftojë. Edhe në rastin e Ançelotit, nëse cilësitë e Suarezit njihen, uruguaiani humb peshën e tij nëse i limitohen furnizimet që i vijnë nga Zhoao Feliks, ndaj edhe në këtë rast “Karleto” duhet të ketë mbajtur shënime.

“UJQËRIT” E ZONËS – Që të dy me probleme përpara derbit dhe në dyshim nga skuadrat respektive. Por dihet, Karim Benzema dhe Luis Suarez nuk janë nga ajo racë goleadorësh që dorëzohen lehtë. Fundja, kur flet për dy ujqër të zonave të rreptësisë dhe të golit, duhet më shumë sesa një shqetësim muskulor për t’i lënë jashtë fushave.

Bomberi francez i Realit udhëton sivjet me një mesatare të frikshme, 1 gol çdo 100 minuta mes kampionatit dhe Ligës së Kampioneve, teksa në shënjestër ka vënë jo vetëm Atletikon, por edhe 300 golat me bluzën e “Los Blancos”.

Edhe Luis Suarez nuk bën shaka, teksa sivjet realizon një gol çdo 130 minuta, por në të njëjtën kohë një gol çdo dy ndeshje që kur vendosi të heqë bluzën e Barcelonës dhe të veshë atë të Atletikos. Fundja, kot s’thonë, “ujku qimen e ndërron, por zakonin s’e harron…”

Related posts

9 futbollistët që kanë luajtur me Real Madridin dhe Liverpoolin (FOTO)

Sadik.Autor

SFIDA NDAJ LITUANISË/ Trajneri Reja dhe kapiteni Hysaj flasin në konferencë për shtyp

Delo.autor

BOTËRORI 2022/ Anglia i shkakton “TËRMET 10 BALLË” San Marinos dhe kualifikohet në fazën tjetër

Delo.autor

Leave a Comment