Futboll Seria A Sport

ANALIZA PËR MILANIN/ Problemet e fazës së parë, ja çfarë duhet zgjidhur

Pesë mungesa të renda për ekipin. Kjaer, Kalabria, Hernandez, Rebiç e Leao te Milani dhe Kulibali, Mario Rui, Fabian Ruiz, Insinje e Osimhen për Napoliin që fitoi një ndeshje në kushte fillestare të njëjta. Në humbjen e vendit të parë dëmtimet kanë rezultuar vendimtare, sidomos ai i Kjaerit pas humbjes të së cilit Ibra me shokë kanë fituar vetëm një ndeshje të lehtë, ajo ndaj Salernitanës duke barazuar, më pas me Udinezen e humbur me Napolin.

Ndaj Empolit erdhi një fitore e rëndësishme, por prapavija vijon të ndëshkohet rregullisht. Ekipi i Piolit sivjet ka pësuar shumë gola prej gabimeve individuale, por duke qëndruar në daljet e fundit, duket qartësisht se goli i Betos në Udine është pjellë e një gafe mes Benaserit dhe Bakajokos, ndërkohë që Tonali la krejt të lirë të kërcente Elmasin, që me gjithë respektin nuk është ndonjë gjigant.

SIMON KU JE? – Duke u kthyer te Kjaeri, përveç stabilitetit në prapavijë, ai ishte edhe lideri i heshtur i Milanit falë përvojës së madhe. Danezi do të mungojë, ndaj drejtuesit duhet të gjejnë patjetër në janar dikë që ta zëvendësojë. Nuk do të jetë e lehtë sepse kushdo që do të vijë do të ketë nevojë për ambientim. Përveçse nëse afrohet një mbrojtës i nivelit të lartë, diçka që duket shumë e vëshirë. Me 48 gola, Interi është ekipi që ka shënuar më shumë, ndërkohë Napoli ai që është ndëshkuar më pak (13 herë). Kuqezinjtë ndodhen diku në mes. Pa Kjaerin do të jetë edhe më vështirë të ruajnë ritmin. Sinjale të kësaj vështirësie u panë ndaj Empolit. Nëse Bajrami pati edhe pak fat, Bakajoko i shtroi banketin rivalëve për golin e dytë me një ndërhyrje të papërgjegjshme që solli penalltinë.

Ndaj Napolit Milani pati një shtrirje mesatare prej 41 metrash, ndërsa ekipi i Spaletit 31. Sa më e hapur të jetë një skuadër aq më e lehtë është që të përçahet e lojtarët të lodhen. Kruniçi i aktivizuar majtas humbi shpejt distancat, ndërkohë që më të mirën prej tij mund ta marrësh duke e aktivizuar në qendër ku u aktivizua Diazi. Boshnjaku cilësohet si “gjithëfushor”, çka flet qartë për situatën emergjente që po kalojnë kuqezinjtë.

I përçudnuar nga mungesat, 4-2-3-1-shi kuqezi u shthur shpejt, pavarësisht se Mesiasi në të majtë u mundua të kompensojë mbrëmjen e vakët të Diazit, por brazilianit i duhet ende kohë për t’u ambientuar e kjo duket qartë në interpretimin që i bën rolit. Pioli provoi diçka të re në Empoli duke propozuar Kesin si fantazist. Forca e Bajramit me shokë nuk shërben për matje ekzakte, megjithatë duket qartë se Pioli po synon të arnojë çarjet e skemës. Fakt është që kuqezinjtë vrapojnë keq dhe skema e bukur e pak kohëve më parë është kthyer tashmë në një partiturë që duket sikur e njohin të gjithë. Rivalët përfshirë.

SULM 75-VJEÇAR – Ibrahimoviç është 40 vjeç, ndërsa Zhiru 35. Treçerek shekulli në vijën e parë. Rinovimi i kontratës së suedezit ishte diçka logjike duke parë kontributin e tij në gola e në karakterin e ekipit. Disi më pak e kuptimtë duket zgjedhja për t’i sjellë Zhirunë si zëvendësues. Nevojitej dikush me moshë më të re sepse Leao e Rebiç janë sulmues, por jo pyka dhe zonën e sulmojnë në vrull e sipër pasi nuk është habitati i tyre natyror. Një me moshë të re, për hir të së vërtetës, Maldini e gjeti, por Pelegri nuk po justifikon besimin dhe po konfirmohet një atlet me fizik të kristaltë që bën vajtje-ardhje mes stërvitjes dhe infermierisë.

I vetmi deciziv është Ibra që në 11 prezenca kampionati ka shënuar shtarë herë, ndërkohë që në Champions dështoi në ato katër raste që luajti. Suedezi nuk i ka shënuar asnjë të madheje, duke mos ndikuar në mënyrë direkte në luftën për titull me rivalët kryesor. Zhiru nuk ka bërë më mirë dhe regjistron vetëm katër gola në 10 ndeshje kampionati dhe ndaj Empolit tregoi se sa larg formës ideale është. Mosha bën të vetën dhe rendimenti nuk mund të jetë gjithmonë i lartë. Zgjedhje e gabuar merkatoje? Ndoshta, por mbetet fakt që Zhiru e Ibra duhet të përfaqësonin diçka shtesë e jo Milani të varej prej tyre në gjithçka.

KESI HALL MË VETE – “Do të kthehem nga Olimpiada e do të sistemoj çdo gjë”. Premtim që Frenk Kesi nuk do ta respektojë. I kthyer i sfilitur nga dy vite pa ndalesë ku shtohet edhe një Olimpiadë, afrikani është ndër notat më të stinuara të Milanit të sivjetshëm. Deri pak javë më parë paraqitjet e tij mbuloheshin deri diku nga ecuria pozitive e ekipit, por tani nuk ka më alibi, edhe pse me Empolin shënoi dy herë. Në situatën e tij ndikon edhe kontrata që i skadon pas 6 muajsh.

Klubi i ofron rinovimin me 7 milionë në sezon, ndërsa 24- vjeçari joshtet nga 10-shja që i ofron PSG-ja. Vështirë që kuqezinjtë të arrijnë ta shesin në janar për të mos e humbur falas në verë, teksa që nga shkurti menaxherët e tij mund të bisedojnë me çdo ekip që dëshirojnë. Kesi është një ndër hallet e “Djallit”, ndërkohë që rrogën aktuale mesfushori nuk po e justifikon më siç bënte në të kaluarën.

Related posts

LIVE/ Po luhet ndeshja Tirana-Skënderbeu. Rezultati 1-0

Delo.autor

PAS BARAZIMIT ME LUFTËTARIN/ Trajneri Martini: Ekipi është komplet në vështirësi!

Delo.autor

E ARDHMJA NË DYSHIM PËR PORTIERIN/ Navas: Unë pranoj zgjedhjet e trajnerit, ndaj…

Isa.Autor

Leave a Comment