Futboll La Liga Sport

“ËSHTË NJË KLUB ME GERMA TË MËDHA”/ Ancelotti, një madrilen i thekur: Është Reali, pastaj vijnë të tjerët

Trajneri i Realit të Madridit, Karlo Ançeloti, ka dhënë një intervistë për gazetën italiane “Il Messaggero”, ku ka folur për shumë tema, si dhe për disa prej kolegëve të tij më në zë, Murinjo, Guardiola, Klop. Ai është ndalur edhe te humbja me Getafen në takimin e parë për vitin 2022.

HUMBJA ME GETAFEN – “Ishte një humbje për disa arsye: mungesat nga COVID-i, probleme të tjera, kthimi në fushë pas gati 10 ditësh pushim. Por, nuk ka asgjë për t’u shqetësuar, sepse ekipi është solid. Nëse do e mblidhja me pak fjalë humbjen në Getafe, mund të them se ishim ende me pushime”.

REALI, MBI TË GJITHË – “Reali i Madridit? Është një klub me germa të mëdha. Është Reali pastaj vijnë gjithë të tjerët. Por, në planin personal, për atë çfarë përfaqëson për mua, edhe Milani mbetet një klub i madh”.

ROMA E MURINJOS – “Roma është në duar të sigurta me Murinjon. Ai është një personazh i madh i botës së futbollit. Është një trajner i madh dhe një njeri i sinqertë”.

INTERI E LACIO – “Interin e shoh favorit për të ruajtur titullin e fituar. Simone Inzagi ka bërë një punë mjaft të mirë. Ata kanë ditur t’i kapërcejnë pa probleme të mëdha largimet e Lukakut e Hakimit. Mendoj se në Serinë A po rritet një gjeneratë e re trajnerësh që i kanë dhënë impulse të rëndësishme, që i bashkohen një gjenerate të vjetër si unë, Murinjo, Sarri, Klop”.

PEP, MË I MIRI – “Është një ndër më të mirët, sepse është e pamundur të bësh një klasifikim preciz mes nesh. Njësia matëse e një trajneri janë gjithnjë trofetë e fituar, por jo vetëm. Po ashtu kanë të bëjnë idetë që ai sjell, të rejat, strukturat e klubeve, mundësitë financiare. Por, e sigurt është se Guardiola do ta shënojë emrin e tij në historinë e futbollit”.

JYRGEN KLOP – “Është një trajner dhe një person që më pëlqen. Është si Murinjo, i drejtpërdrejtë dhe i sinqertë. Në këto dy vite pandemie, Klop ka përçuar mesazhe të rëndësishme. Edhe pse pandemia vijon, vaksinat dhe barnat e reja që po përdoren do të na ndihmojnë ta kalojmë sa më shpejt këtë situatë dhe ta fitojmë këtë betejë”.

Related posts

E TRISHTË/ Futbolli britanik në zi, shuhet në moshën 81-vjeçare golashënuesi i madh anglez

Delo.autor

U RIKTHYE TEK TIRANA/ Ja paga e Majkëll Ngo me klubin nga kryeqyteti…

Delo.autor

LARGIMI I ZE MARIAS/ Tifozët shpërthejnë ASHPËR kundër Halilit, FUTI 1X2…

Isa.Autor

Leave a Comment