Futboll Sport

“GARAT NË FSHF NUK MANIPULOHEN, ATO DHUNOHEN”/ Prodani: Ja pse kandidoj për Shoqatën e Tiranës…

Eduard Prodani, ish-sekretari i përgjithshëm i FSHF-së, deklaroi për “Panorama Sport” se duhet një reagim i fortë nga komuniteti i futbollit për të ndryshuar gjendjen ku është ky sport sot. Ai është kandidat për postin e kryetarit të Shoqatës Rajonale të Tiranës dhe shpreh bindjen se ka ardhur ora që futbolli të marrë tjetër drejtim.

Çfarë mendoni për skandalin me ndihmat e FIFA-s për COVID-in?
Investigimi është për t’u përshëndetur. Me një gazetari të këtillë do kishim klimë shumë më të shëndetshme në futboll e kudo. Sa për faktin e zbuluar them se ai është veprim tipik i establishmentit arrogant dhe abuziv të FSHF. Në këtë rast s’ka gjë për të komentuar. Këtu ka vetëm vend për një lutje: “Fali Zot se s’dinë çka bëjnë!”

Pse keni vendosur të kandidoni dhe të riktheheni aktiv në futboll?
Në futboll kam investuar shumë kohë e përpjekje. E kam studiuar dhe njohur nga afër e në detaje sistemin. Ndihem keq tek rri e shikoj se si abuzojnë dhe manipulojnë me djersën, sakrificat dhe pasionin e dhjetëra mijëra njerëzve. Ndërkohë që me kritikat në media qeshin dhe tallen. Me kandidimin tim dua të provoj se kuraja qytetare këtu nuk ka vdekur. Ky vend nuk mund të ketë mbetur kaq jetim. Duhet dhënë shembull personal. Tashmë është në lojë fati i fëmijëve tanë. Në këtë këndvështrim kjo garë dhe rezultati i saj ka pak rëndësi. Ajo është vetëm një betejë. Me këtë frymë do të fitojmë luftën.

Zgjedhjet në shoqata, a kanë shtuar frikën te FSHF me manovrat e saj?
Drejtuesit e FSHF veprojnë sikur Shqipëria të ishte një republikë bananesh. Dhe mirë bëjnë. Gjejnë shesh, bëjnë përshesh. Futbolli s’paska burra, Shqipëria s’paska qeveritarë. Manovrat për të siguruar fitore 100% të zgjedhjeve nëpër shoqata nuk më kanë surprizuar aspak. Huqi del me shpirtin. Në qoftë se për krahasim do përdornim zgjedhjet politike, atëherë mund të themi që në shoqatat e futbollit zgjedhjet bëhen pa ligj elektoral, pa KQZ, pa lista votuesish. Mosmarrëveshjet i zgjidh kryeministri, opozita s’ka kandidatë dhe Kolegji Zgjedhor është me pushime që nuk dihet se kur mbarojnë.

A janë të ligjshme?
Një shprehje popullore thotë: “Ka ligj, po ka dhe Maliq”. Në fakt, në FSHF ka vetëm “Maliq”. Në zgjedhjet e 2018 për shembull “Maliqi” tha që shoqatat s’ka pse të jenë të regjistruara në gjykatë ndaj të vijnë dhe të votojnë. Dhe shoqatat erdhën, votuan, u ligjëruan. Pra, “ligji” bëri si tha “Maliqi”. Shumë nga ato që po ndodhin janë shkelje e statutit dhe rregulloreve, por që nuk ke ku t’i ankimosh. Struktura të tilla nuk ka as në letër. Po për këtë fajtore e madhe në fakt është qeveria, që ndërsa dëgjon barcaleta me tema nga UEFA dhe FIFA e ka lënë vendin 20 vjet pa gjykatë sportive (KAS).

I ndjeri Fino ka thënë dikur që Duka ka edhe gurin, edhe arrën… A ka rrezik që të manipulohet gara?
Fino doli i tronditur nga gara për kreun e FSHF. Dhe ju kujtoj se ai ishte kryeministri i kohës së frikshme kur qeverisnin bandat. Fino i mundi bandat, por në FSHF humbi. Ç’mund të them më tepër?! Që FSHF është bandë?! Kur flasim për manipulim gare në fakt dalim ca jashtë realitetit. Garat në FSHF nuk manipulohen. Ato dhunohen.

Për çfarë ka nevojë urgjente futbolli sot dhe a bini dakord me tezën e kryeministrit që bashkitë duhet të ndërpresin financimin për klubet? Nëse po, si do gjenden të ardhurat për një futboll të shëndetshëm?
Futbolli ka nevojë urgjente të shtojë numrin e futbollistëve dhe shtrirjen gjeografike. Me shifrat që pretendon FSHF në Shqipëri me futboll merren jo më shumë se 0.5% të popullsisë. Maqedonia fqinje e ka 2% dhe ndryshe nga Shqipëria, futbolli atje ka shumë sporte të tjerë konkurrente. Ndërkohë që krahasimi me vende më të zhvilluara as që mund të bëhet. Se si mund të ndryshohet ky realitet me siguri ka shumë ide dhe mënyra. Po e sigurt është vetëm që me klikën aktuale ndryshimi nuk mund të arrihet. Deklaratat e kryeministrit ishin surprizë pozitive. Uroj që të mos jenë rastësore, por një qëndrim politik i qeverisë. Bashkitë duhet të mbështesin pa kursim futbollin e bazës. Dhe kjo mund të bëhet efikase pikërisht nëpërmjet bashkëpunimit me shoqatat rajonale. Klubet profesioniste duhet të mësojnë të bëhen të tilla me të vërtetë. Të importosh lojtarë të huaj me rroga 10,000 euro për t’i përzënë pak muaj më pas nuk është profesionalizëm. Duhet të mësojnë të vënë në përdorim mundësitë njerëzore që ofron vendi dhe investimet që bën shteti dhe ekonomia për futbollin e bazës. Natyrisht kjo kërkon një periudhë tranzitore dhe do ketë viktima.

Prej largimit tuaj nga federata, çfarë ka shkuar mirë dhe çfarë ka shkuar keq deri tani?
Prej largimit tim gjërat kanë shkuar vetëm mirë. Tani kemi një FSHF të 5-fishuar si administratë, të dhjetëfishuar si buxhet dhe të superspecializuar në ndërtime godinash dhe fasadash. FSHF tashmë ka zyra me kosto së paku 10 milionë euro nga 1 milion që vlenin dikur. Zyra e presidentit të FSHF-së e turpëron atë të homologut francez, por edhe të Ceferinit në UEFA. Natyrisht që fëmijët vazhdojnë të zhvishen jashtë edhe në janar. Klube si Partizani, Dinamo etj. kanë mbetur ende nomadë. Të gjithë vazhdojnë ende që të mos kenë pikën e besimit tek integriteti i garës etj. Por këto janë çështje që FSHF do i zgjidhë shumë shpejt. Bëhet fjalë gjatë mandatit të gjashtë. Tani FSHF arrin të manovrojë shkëlqyeshëm me struktura fantazmë si p.sh. Liga Profesioniste, shoqatat rajonale etj. Komisioni i Etikës është shkurtuar se ishte hallkë e tepërt, sepse në FSHF nuk ka më konflikt interesi, abuzime me detyrën, trukime ndeshjesh. FSHF tani është specializuar edhe në bojkot të kampionatit dhe manovrime brilante midis koalicioneve politike. Këto janë përparimet më të dukshme.

Me sa duket, kishit diferenca me zotin Duka sepse pas FSHF-së ju larguan edhe nga projekti i stadiumit?
Po. Kishim vërtet një diferencë të patejkalueshme. Nuk arrinim shpesh që të merreshim vesh sepse flisnim gjuhë të ndryshme.

Pse, çfarë gjuhe flet zoti Duka?
Nuk di të them se ç’gjuhë flet zoti Duka. Unë vetë flas gjithmonë gjuhën e interesit publik.

Related posts

AZERBAJZHAN-PORTUGALI/ Trajneri De Biasi: Nuk do të jetë aspak e lehtë, por…

Delo.autor

FORMULA 1/ Mercedes dominon provat e lira në Suzuka, tajfuni mbyll pistën të shtunën

Delo.autor

MERRET VENDIMI/ I theu nofullën kundërshtarit se vonoi lojën, dënohet me 1 vit burg futbollisti…

Delo.autor

Leave a Comment