Bundesliga Futboll Sport

KAMPIONËT NUK KANË RIVAL/ Synohet titulli dhe Champions-i, Bayern Munich ka 5 “asa” nën mëngë

Bajerni i Mynihut është duke marshuar i vetëm drejt titullit të 32-të në historinë e klubut dhe të 10-in radhazi. Kampionët nuk kanë rival edhe pse herë pas here i kanë lejuar vetes disa hapa fals, por për fatin e tyre të mirë, kundërshtarët nuk kanë ditur t’i shfrytëzojnë. Edhe në këtë sezon banda e Julian Nagelsman është duke hedhur hapat drejt suksesit si në kampionat ashtu dhe në Champions. Kush janë pesë lojtarët që i japin siguri bavarezëve në misionet e radhës.

JOSHUA KIMISH – Një lider i lindur, një luan në fushën e lojës, Kimish është pa dyshim motori dhe truri i skuadrës. Vrapon pa fund dhe është një oksigjen për shokët e skuadrës, ai është kudo dhe i bën të gjitha. Sezoni edhe pse nisi mirë për të, nuk ishte ai që pritej me shumë pengesa rrugës për shkak të COVID-it. Por tani Joshua është aty, dy asiste në ndeshjen e fundit treguan se rikthimi i tij në skuadër është një marsh më shumë për të shkuar drejt titullit.

LEROI SANE – Shumë kritika në drejtim të tij, saqë Bajerni mendoi ta largonte. Por me këmbënguljen e Nagelsmanit, lojtari mori dhe një shans tjetër në Mynih. Dhe si me magji, loja e tij erdhi drejt ngritjes. Driblime, sprinte dhe gola, Sane ndriçon sërish dhe këtë herë më shumë se herët e tjera. I rikthyer si lojtar kyç dhe në kombëtaren gjermane, ai është një nga shtyllat kryesore të Nagelsmanit. Skena e tij e preferuar mbetet Europa, aty ku bavarezët duan të shkruajnë sërish historinë.

TOMAS MYLER – “Radio Myler” siç e thërrasin të gjithë për shkak se vetëm flet në ndeshje. Ai është zëri i dytë i trajnerit Nagelsman, një dirigjent i vjetër dhe një atlet i jashtëzakonshëm. Mbreti i asisteve vazhdon të jetë deciziv në golat e skuadrës dhe jo pa arsye Bajerni po përjeton një nga sezonet më të mira për sa i përket shënimit të tyre. Tomas është i uritur, njëlloj si në ditën e parë që u thirr në skuadrën e Bajernit. Ishte Luis van Gal ai që pa urinë e gjermanit, i cili pritet të jetë një lider dhe për “Pancerat” në Botërorin që do të zhvillohet këtë vit në Katar.

MANUEL NOJER – Kapiteni, një nga shtyllat që nuk bie kurrë. Manuel Nojer është një lider i padiskutueshëm në skuadrën bavareze. I ardhur nga Shalke, Nojer ngjiti shpejt hapat drejt suksesit duke u bërë jo vetëm një nga portierët më të mirë në Bundesligë, por dhe në botë. Kampion bote me Gjermaninë në 2014-ën, gardiani i portës bavareze është një siguri në ndeshjet e mëdha. Pak presion mbi shpinë dhe gjithmonë i qetë, një siguri në fazat finale të çdo kompeticioni.

ROBERT LEVANDOVSKI – Sulmuesi më i mirë në botë për 2021-shin, golashënuesi më i mirë në Bundesligë, polaku nuk mund të mungonte në listën e lojtarëve më të rëndësishëm të skuadrës. Ndoshta është më i rëndësishmi. Gol pas goli, rekord pas rekordi, kjo ka qenë jeta e 33-vjeçarit, jo vetëm në këtë sezon, por dhe në atë të kaluarin. Ëndrra e tij për të fituar Champions-in u realizua në Mynih, aty ku po luan që prej 2014-ës. Leva është një makineri goli, një kombinim perfekt mes tipit të sulmuesit të vjetër dhe atë modern. Ai shënon me të majtën, me të djathtën dhe nga ajri, thjesht kudo. Goli i ardhshëm është vetëm pak minuta larg, bashk me të dhe një tjetër rekord i thyer.

Related posts

“MË 3 GUSHT GJITHÇKA DO TË JETË E MBYLLUR”/ Ceferin për kampionatet në Europë, 4 hipoteza për Champions League

Delo.autor

EGBO QËNDRON NË SUPERIORE? Ish-trajneri i Tiranës kandidat për të marrë “frenat” e skuadrës së njohur

Delo.autor

Eleminimi i Spanjës, shfryn Shpëtim Gjika: Ku do shkonin ata me një portier që…

Sadik.Autor

Leave a Comment