Futboll Seria A Sport

ATALANTA-JUVENTUS/ Vlahovic po bën tifozët “Bardhezi” të ëndërrojnë, serbi synon rekordin e Tevez

Dushan Vlahoviç po bën popullin bardhezi të ëndërrojë. Pas debutimit me gol kundër Veronës, serbi ishte ai që i dha edhe kualifikimin Juventusit për në gjysmëfinalet e Kupës së Italisë, aty ku do të gjejë përballë ish-skuadrën e tij, Fiorentinën.

Gjithsesi, prova e vërtetë për 22-vjeçarin dhe “Zonjën e Vjetër” do të jetë transferta në Bergamo kundër Atalantës, rivalja e drejtpërdrejtë e torinezëve për vendin e katërt, që garanton zonën Champions, por në të njëjtën kohë edhe udhëkryqi i cili mund të ndryshojë shumë objektiva në vazhdimësinë e Juves, duke parë se edhe lufta për titullin kampion është ngjeshur shumë.

Duke parë kalendarin dhe faktin se pasditen e sotme luhet edhe Napoli-Inter, sigurisht që ndeshja e së dielës mbrëma mes Atalantës dhe Juventusit do të marrë një rëndësi tjetër në varësi të rezultatit në stadiumin “Diego Armando Maradona”, pasi duke parë euforinë dhe rrezikshmërinë që Vlahoviç i ka shtuar Juventusit, në radhët e tifozërisë bardhezi janë rindezur edhe shpresat për një titull kampion, në këtë sprint final të Serisë A.

Atalanta nga ana e saj do të presë Juventusin më e nervozuar se kurrë, duke parë se vjen jo vetëm pas humbjes tronditëse me Kaljarin në kampionat, por në të njëjtën kohë edhe pas eliminimit me përmbysje nga Fiorentina në Kupën e Italisë. Berat Gjimshiti do të ketë detyrën për të ngritur digën në mbrojtje dhe duhet të marrë masat, sidomos ndaj Dushan Vlahoviçit. Për qendërmbrojtësin e Kombëtares shqiptare kjo detyrë bëhet dyfish më e vështirë nëse mendojmë se blerja 80 milionë euro e Juventusit karikohet maksimalisht pasi sheh Atalantën përballë.

Në vitin 2021, në dy duelet kundër zikaltërve, Vlahoviç ka shënuar 4 gola, nga një dopietë në secilën prej sfidave (atë të fazës së dytë në sezonin e kaluar dhe sivjet në fazën e parë, me bluzën e Fiorentinës), prandaj Gjimshiti me shokë është i paralajmëruar. Nga ana tjetër, vetë 22-vjeçari i Juventusit, i cili në Bergamo do të luajë ndeshjen e 100-të në Serinë A, do të kërkojë edhe golin e dytë në ndeshjen e dytë radhazi për torinezët, diçka që ka mundur ta bëjë vetëm Karlos Tevezi në vitin 2013. Dhe, pse jo, me një tjetër gol dhe një tjetër fitore në transfertën shumë të vështirë kundër Atalantës, pa dyshim që Juventusi do të niste të trembte jo pak skuadrat e kreut, ndonëse për momentin distanca vazhdon që të mbetet e konsiderueshme.

Related posts

“KA SHUMË DËMTIME TEK SKUADRA JONË DHE…”/ Zidane: Është një goditje e madhe për ne

Delo.autor

“TË VAZHDOJMË TË FITOJMË”/ Bernardeschi bën ndryshimin e madh: Ja pse e bëra këtë zgjedhje

Delo.autor

DËSHTUAN NË BOTËROR/ LOW nxjerr listën: Ka DEBUTUES, RIKTHIME dhe MUNGESA

Isa.Autor

Leave a Comment