Futboll Kategoria Superiore Sport

DERBI NDAJ PARTIZANIT/ Lëvizje në formacion dhe në role, ja si ndryshon Dinamo me Devollin trajner…

Në fillim të javës te Dinamoja nisi “era” Devolli-Xhafa, dyshja që ka marrë përsipër ta zgjojë këtë skuadër pas një ecurie të dobët deri tani, çka solli edhe ndryshimin në stol. Koha për stafin e ri teknik është e shkurtër dhe për më tepër përpara është një ndeshje shumë e rëndësishme, ajo e kthimit në Kupë me Partizanin, nesër në orën 18:00 në “Air Albania”. Megjithatë, disa ndryshime do të ketë. Me disa lëvizje të vogla, dyshja e re drejtuese e bluve do të synojë ta bëjë skuadrën më efikase në lojë për të arritur kualifikimin.

ENTUZIAZMI – Trajneri Bledar Devolli, ashtu siç e theksoi edhe vetë në intervistën për “Panorama Sport” në numrin e djeshëm, do të përpiqet për ta bërë Dinamon më agresive në të dyja fazat e lojës, mbrojtje dhe sulm. Përveç kësaj dhe lëvizjeve taktike, ai dhe ndihmësi i tij, Xhafa, po punojnë edhe me anën psikologjike, për të rritur entuziazmin brenda grupit. Këtë element trajneri Devolli duket se e ka parësor. “Entuziazmi është shumë i rëndësishëm për një ekip futbolli dhe ne duhet ta kthejmë atë”, ka thënë gjirokastriti për gazetën.

TAKTIKA – Dinamoja e Devollit do të ketë disa lëvizje të vogla në krahasim me atë të ishtrajnerit Shkëmbi. Gjirokastriti duket se parapëlqen skemën 4- 3-3, me të cilën blutë kanë luajtur në disa nga ndeshjet e fundit. Kuptohet që gjithçka varet nga gjendja e lojtarëve të cilët janë në dispozicion dhe deri të enjten shpresohet shumë që të jetë i gatshëm edhe mbrojtësi Aleksandër Sofranak, për të luajtur në krah të Imamit. Këto ditë është provuar Patrik Bardhi në krahun e djathtë të mbrojtjes, por kjo nuk është përfundimtare, ndërsa në të majtë do të aktivizohet Prodani, kurse Ali Samake do të ulet në stol. Në mesfushë do të kthehet Demiri, i aktivizuar si mbrojtës qendre javët e fundit për shkak të mungesave. Ai do të përbëjë treshen e këtij reparti, bashkë me Lilajn dhe Sidibenë.

SULMI – Dinamo ka vuajtur shumë gjithë sezonin për të shkuar te goli. Edhe gjatë ndeshjeve të 2022-shit, kur pjesë e stafit ka qenë Devolli, skuadra ka shënuar me “pikatore”. Blutë kanë shënuar 3 gola në 5 ndeshje dhe të gjithë me goditje standarde (me penallti Ibraimi ndaj Partizanit në Kupë, me goditje dënimi po Ibraimi ndaj Egnatias dhe në zhvillimet e një goditjeje të lirë Imami realizoi golin e fitores ndaj Kukësit).

Devolli dhe Xhafa e njohin mirë këtë problem dhe e kanë fokusuar aty punën e tyre. Trajneri i ri i bluve kërkon që skuadra të sulmojë me më shumë forca dhe më shpejt, por mbetet të shihet se sa do të realizohet kjo. Në repartin e avancuar pritet të luajnë Denison, Ibraimi dhe Rexhinaldo, me shpresat gjithmonë tek aftësitë individuale të kapitenit. Sot do të jepet edhe dora e fundit e përgatitjeve për Partizanin dhe mund të ketë edhe ndonjë lëvizje të fundit.

Dinamo – (4-3-3): Simoni; Bardhi, Sofranak, Imami, Prodani; Sidibe, Lilaj, Demiri; Rexhinaldo, Ibraimi, Denison. Trajner: Bledar Devolli.

Related posts

2 GOLA NË 2 MINUTA/ Lukaku dhe Gagliardini çojnë “San Siron” në peshë, ja “PERLAT” (VIDEO)

Delo.autor

“Është një derbi i madh”, ja ç’thotë Guardiola për Manchester UTD-Liverpool

Q.Autor

BARCELONA-MANCHESTER UNITED/ “Pleshti” nuk fal, ja super “perla” që shënoi (VIDEO)

Delo.autor

Leave a Comment