Futboll Kategoria Superiore Sport

MOVIOLA E LAÇ-VLLAZNIA/ Ja pse nuk duhej anuluar goli i shkodranëve (VIDEO)

Laçi-Vllaznia ishte një nga përballjet më të rëndësishme të javës së 19-të të kategorisë Superiore dhe për këtë arsye FSHF-ja kishte deleguar një arbitër të FIFA-s për të vendosur drejtësinë, Eldorian Hamiti.

Ndeshja në përgjithësi ishte e një ritmi të lartë, e dyluftuar dhe me raste të shumta për shënim nga të dyja kampet.

Por, këtij takimi nuk i munguan as rastet për moviolë, ku nga analiza e kryer me pamje filmike dhe përsëritje të momenteve, del se kryesori, si dhe gjyqtarët në VAR, kanë gabuar.

Rrjedhimisht me këto gabime kanë ndikuar në rrjedhën e ndeshjes, pse jo edhe në rezultat.

Ky përfundim del, pasi kemi një karton të kuq të falur për Mustedanagiç në fillim të ndeshjes, goli i anuluar me të padrejtë për Vllazninë, penallti të padhënë për Laçin, por edhe episode të tjera të dyshimta, ku u kursyen kartonët e verdhë për disa ndërhyrje të ashpra.

“Panorama Sport” do t’ju paraqesë më poshtë rastet për moviolë të takimit, ku interpretimi është bazuar në rregulloren e aktiviteteve, por edhe në pamjet filmike, që në momente të caktuara nuk kanë qartësinë e duhur:

13’ Mustedangiç ndërhyn me takat e ngritura në këmbën e Ujkës. Arbitri Hamiti ishte shumë pranë aksionit, madje me veprimin që bëri tregon se ka parë ndërhyrjen e rëndë ku i bën me duar lojtarit të Vllaznisë se kjo është hera e fundit që e fal. Në këtë rast nuk kemi asnjë ndëshkim me karton për Mustedangiç, ku raste të tilla të rrezikshme zakonisht ndëshkohen me karton të kuq. Por, Hamiti nuk i jep as të verdhë. Karton i kuq i padhënë për Mustedanagiç.

26’ Farudin Gjurgjeviç gjen rrugën e rrjetës, por goli nuk vlen. Sulmuesi nga Shkupi përfiton nga gabimi i Malotës, shmang portierin Dajsinani dhe e dërgon topin në rrjetë, por pas konsultimit me VAR-in, gjyqtari Hamiti sinjalizon prekje të topit me dorë nga Da Silva gjatë aksionit të golit.

Sipas rregullores, por edhe aq sa shikohet nga pamjet filmike, pasi nuk duket shumë qartë prekja e topit nga braziliani del se gjyqtari Hamiti dhe ata të dhomës VAR kanë gabuar, pasi goli nuk duhej anuluar.

Me rregullore kur asistuesi i autorit të golit e prek jo me qëllim topin me dorë, që në këtë rast nga pamjet del se topi fillimisht ka prekur në trup pastaj në dorë, goli nuk anulohet.

Gabimi tjetër te ky gol është ndërhyrja e VAR-it pa vërshëllyer arbitri. Me protokoll VAR-i nuk ndërhyn në raste të tilla kur arbitri nuk e ka vlerësuar rastin duke vërshëllyer dhe ndalur aksionin. Pra, gjyqtarët në kompleks kanë gabuar me anulimin e golit.

45’ Vllaznia pretendon për penallti, pas duelit mes Krymit dhe Deliut në limitet e zonës, por për gjyqtarin Hamiti gjithçka e rregullt. Në këtë rast arbitri ka vepruar drejt, pasi nuk ka kontakt për t’u vlerësuar si penallti. Më shumë ka qenë hedhje e mesfushorit shkodran.

53′ Laçi kërkon penallti për prekje të topit me dorë të Dianje brenda zonës, por pas konsultës me dhomën e VAR-it, gjyqtari Hamiti merr vendimin që loja të vijojë. Nga pamjet duket që Dianje e ka dorën e futur poshtë krahut të Guindosë dhe topi duket që ka prekur dorën e hapur të mbrojtësit të Vllaznisë. Vendim i gabuar i gjyqtarit Hamiti që ka qenë pranë aksionit, por edhe atyre në VAR. Gjyqtarët mbase kanë vepruar kështu për të kompensuar gabimin e bërë te goli i anuluar i Vllaznisë.

63’ Penalltinë për Laçin e fiton Mentor Mazrekaj, pas ndërhyrjes së gabuar të Da Silvës në zonë. Nuk ka dyshime për gjyqtarin Hamiti dhe akordon 11-metërsh. Duket qartë ndërhyrja e gabuar e brazilianit ndaj Mazrekajt, kështu që gjyqtari ka vepruar drejt në këtë rast.

 

Related posts

GATI TË BËJË GODITJEN E MADHE NË VERË/ Kukësi tenton të afrojë sulmuesin e Kombëtares…

Delo.autor

ZYRTARE/ Fundi i një epoke, Sergio Ramos nuk është më lojtar i Real Madrid

Delo.autor

U eliminua nga Marseille, por Salzburgu feston titullin ne Austri

Sadik.Autor

Leave a Comment