Futboll Kategoria Superiore Sport

“NË LAÇ VENDOSO GJYKIMI”/ Krymi: Duam që Kupa të mbetet në Shkodër

Vllaznia pas disfatës në Laç menjëherë është fokusuar te ndeshja e kthimit në Kupë, ku kërkohet si fillim kalimi në gjysmëfinale. Por Ardit Krymi, në prononcimin e dhënë për “Panorama Sport”, la të kuptohej se ajo çfarë ndodhi në javën e fundit nuk mund të harrohet lehtë.

“Sa i përket ndeshjes së fundit, i vetmi zhgënjim ishte rezultati, pasi minimalisht meritonim një pikë në atë transfertë. Ndiej keqardhje se bëmë më të mirën për këtë gjë. Mendoj se gjykimi në këtë ndeshje ka ndikuar, pasi ishin arbitrat ata që na hoqën atë gol më se të merituar, si edhe ndihmoi skuadrën kundërshtare për të shënuar.

Besoj se gjyqtari kryesor dhe VAR vendosen gjithçka. Tendencë e gjyqtarëve? Mendoj se në shumë ndeshje jemi penalizuar nga arbitrat, por duhet të punojmë më shumë edhe vetë që ta zgjidhim ngërçin e golit. Duhet të fitojmë edhe ndaj arbitrave”, u shpreh fillimisht mesfushori kuqeblu.

VAZHDIMËSIA DHE TITULLI – Për Ardit Krymin nuk ka përfunduar asgjë për sa i përket luftës për titull nga ana e Vllaznisë. Dhe diferencën 13- pikëshe me Tiranën kryesuese e shikon si të rikuperueshme, pasi janë edhe 17 ndeshje për t’u luajtur. Reagimi pritet nga zhbllokimi i ngërçit në sulm.

“Me pikë jemi mbrapa, por besoj se ka shumë ndeshje në lojë dhe fjala e fundit nuk është thënë ende. Edhe pse diferenca me kreun është e konsiderueshme, ne nuk jemi dorëzuar akoma në kampionat. Ka shumë garë deri në fund dhe do japim maksimumin në 17 finalet e mbetura.

Ngërçi në sulm? Ne kemi punuar shumë në stërvitje dhe besoj që në ndeshjen e radhës të lirohemi dhe të dalim më shpejt te goli. E bëmë këtë edhe në ndeshjen e fundit në Laç, por gjyqtari nuk na la që ta realizonim një gjë të tillë”, vijoi Ardit Krymi.

KUPA – Si trofembajtësit e Kupës, shkodranët kërkojnë që të përsërisin edicionin e shkuar në këtë veprimtari. Sot luajnë çerekfinalen e kthimit ndaj Flamurtarit dhe Krymi pohoi se vlonjatët edhe Kupën e kanë vlerësuar maksimalisht. “Në Kupë kemi objektiv mbrojtjen e trofeut. Ndeshja e kthimit ndaj Flamurtarit na kualifikon për në gjysmëfinale.

Prandaj duhet t’i japim rëndësinë e duhur takimit. Nuk ka vend për nënvlerësim. Duhet të futemi në fushë për të mbyllur si të ishin të barabarta llogaritë, ndonëse e kemi fituar ndeshjen e parë”, përfundoi mesfushori Ardit Krymi.

Related posts

‘Topin e Artë’ apo Kupën e Botës? Ja kë zgjedh Mbappe

Isa.Autor

ROMA NË ANKTH PËR LOJTARIN E SAJ/ Federata dhe Liga në kontradiktë me njëra-tjetrën

Delo.autor

Thellohen dyshimet/ Pogba drejt Barcelonës si opsioni më i dëshiruar (DETAJE)

Isa.Autor

Leave a Comment