Futboll Sport

NGA SULMUESI TE TRANJERI/ Vieri analizon derbin: Fitorja e Interit vret kampionatin

Kristian Vieri e ka për jetuar derbin e Milanos me të dyja fanellat, por pa dyshim që zemra e tij rreh për zikaltrit. Në një intervistë për “La Gazzeta dello Sport”, Bobo ka bërë një analizë të të dyja kampeve, nga organikat te trajnerët, pa ngurruar të emërojë njeriun derbi të secilës skuadër.

PESHA E DERBIT – “Ajo që është e sigurt është që të dyja skuadrat duhet të luajnë pa bërë llogaritë sepse mungojnë dhe 15-16 ndeshje deri në fund të kampionatit dhe është ende herët për të parashikuar.

Por pa dyshim që derbi është vendimtar. Nëse Interi fiton atëherë bashkë më një trepikësh të mundshëm në ndeshjen e prapambetur me Bolonjën, shkon në +10 dhe jo vetëm që nxjerr Interin nga gara për titull, por vret edhe kampionatin.

 

 

Nga ana tjetër, një fitore e Milanit do t’i rikthente ata fuqishëm në luftën për titull pas një periudhe jo të lehtë dhe mendoj se Pioli do ta përdorë këtë si motivim për skuadrën e tij”.

QENDËRSULMUESI ZIKALTËR – “Është mëkat që Xheko nuk ka ardhur më parë tek Interi, pasi është perfekt.

Është ai që duam të gjithë: shënon dhe bën të tjerët të shënojnë, ka teknikë shumë të mirë, është shumë preciz dhe e di mirë se kur duhet ta mbajë topin dhe kur duhet ta pasojë, nuk gabon asnjëherë kohën.

Unë e quaj një lavatriçe, zakonisht kështu u them mesfushorëve, por në realitet e meriton ai, pasi është një sulmues që mund ta bëjë edhe mesfushorin. Ka edhe një inteligjencë të jashtëzakonshme, i shikon aksionet para të gjithëve”.

QENDËRSULMUESI KUQEZI – “Nëse Ibra ia del të luajë aq më mirë për Milanin sepse ai mund të shpikë gjithmonë diçka, aq më tepër nëse i mbërrijnë topat e duhur të cilët të gjithë e dimë që i do “të pastër”.

Të gjithë e dinë se kur je te Milani dhe luan me Ibrën duhet të bësh maksimumin tënd, ndaj u bën presion shokëve. Nëse Ibra nuk ia del do të jetë Zhiru, që edhe pse ka më pak teknikë, lëviz më shumë dhe ka goditjen tipike të qendërsulmuesve.

Është i pakapshëm në ajër dhe me gjakftohtësinë e duhur mund të vërë në punë gjithë eksperiencën në derbi”.

NJERIU DERBI I INTERIT – “Lautaro nuk fal asgjë nëse i lejon hapësira, ka instinkte vrastare.

Ai dhe Xheko kombinohen shumë mirë, ndaj për këdo që e markon argjentinasin është shumë e vështirë sepse është një pykë moderne, universale që gjithmonë ndërron pozicion dhe ka një adrenalinë të admirueshme kur lëviz.

E vetmja gjë që i mungon është vazhdimësia, të gjejë ritmin e golit është thelbësore”.

NJERIU DERBI I MILANIT – “Mendoj se Leao ka diçka speciale, kam një dobësi për të. Është i paparashikueshëm dhe një derbi fitohet edhe nga një episod.

Ai mund të luajë kudo, ka një shpejtësi impresionuese dhe është shumë e vështirë ta markosh: si mund t’i marrësh masat kur nuk e di nga niset e ku po shkon?

I lë 5 metra hapësirë dhe e gjen te porta, përshkon 50 metra në pak sekonda dhe ta shikosh të vrapojë është kënaqësi për sytë. Nuk bën kurrë të njëjtën lojë, ka shumë forcë fizike dhe teknike dhe ka potencialin të shënojë 15-20 gola në sezon. Por, edhe atij si Lautaros i mungon vazhdimësia, ndaj unë pres që jo vetëm derbi, por ky sezon të jetë i kthesës”.

EFEKTI I REZERVAVE – “Në një ndeshje ku lejohen pesë zëvendësime, praktikisht gjysma e skuadrës një ndeshje mund të vendoset edhe nga rezervat. Interi ka një pankinë shumë “të gjatë” me futbollistë me cilësi dhe eksperiencë që në një ndeshje si kjo vlejnë shumë.

Nga ana tjetër kuqezinjtë kanë një pankinë më “të shkurtër” dhe sa herë që kanë rënë pre e dëmtimeve janë shfaqur të lodhur.

Pioli e di mirë se nuk mund të gabojë me zëvendësimet, kurse Inzagi e ka luksin ta bëjë këtë, pasi nëse nxjerr nga loja Lautaron dhe fut Sançezin, nuk mund të gabosh kurrë”.

DERBI NË MERKATO – “Më shumë se të gjykojmë kush ka bërë më mirë, mund të themi se kanë ndjekur dy strategji të ndryshme. Interi ka bërë më shumë, një merkato e kujdesshme me lojtarët e duhur në vendin e duhur.

Gosens është perfekt, kurse Kaisedon e ka dashur Inzagi me forcë. Milani është një klub në ndërtim e sipër dhe si pasojë i duhet kohë. Merr një djalë 18 vjeç si Lazetiç duke menduar për të tashmen dhe për të ardhmen.

Mendoj se kishin nevojë për një mbrojtës, por kanë zgjedhur projektin duke e lënë për në qershor. Gjithsesi, është një arsyetim që më pëlqen, pasi kështu ndërtohen skuadrat fituese”.

NGA KËNDVËSHTRIMI I INZAGIT – “Ndonjëherë më vjen për të qeshur me taktikën që ne në Itali kemi, ndërsa tani Inzagi ka zgjedhur taktikën e tij: të dhurojë një futboll argëtues që e çon te fitorja.

Kjo e ka bërë Interin atë që është sot dhe nuk do të ndryshojë as në derbi, sepse të ndryshosh në varësi të kundërshtarit mund të rezultojë dobësi. ‘Janë tashmë të fortë, po i lë të lirë’, duket sikur është mendimi i përhershëm i Simones, që duket edhe me ambientimin e Çalhanoglusë me Brozoviçin e Barelën.

Pastaj shikojmë Bastonin që e interpreton rolin me një lehtësi të paparë. Është i zoti në mbrojtje, por me shumë teknikë, intensitet dhe ide edhe për fazën e avancuar”.

NGA KËNDVËSHTRIMI I PIOLIT – “Kur i ka të gjithë futbollistët në dispozicion, Milani luan një futboll të bukur ofensiv dhe mendoj se ashtu do të bëjë edhe në derbi.

Duhet të fitojë dhe për këtë do të luajë duke mbrojtur me 10 lojtarë e duke sulmuar po me 10, mbi të gjitha nga krahët aty ku ka një Teo Hernandez që bën 10-15 kilometra për ndeshje dhe kur ndalon ai është Davide Kalabria në krahun tjetër.

Tonali ka bërë kapërcimin e madh nga Bresha te Milani dhe kuqezinjtë i kanë dhënë kohën e duhur për t’u përshtatur. Tani është ai që po e shpërblen me shumë personalitet në mesfushë, atë që duket se Kesit i ka munguar. Kjo duhet të jetë ndeshja që Milani nuk pret sulmet e Interit”

Related posts

SFIDA ELIMINATORE NDAJ “KUQEZIVE”/ Flet Mesfushori Matuidi: Fitojmë ndaj Shqipërisë, Mbappe është..

Delo.autor

E BUJSHME NGA SPANJA/ Po shkëlqen me Juventus, klubi i Barcelonës në gjurmët e yllit të “bardhezinjve”…

Delo.autor

PLAS GALLATA NË RRJET/ Arbitrit i bie kartoni i verdhë, lojtari e “ndëshkon” në vend të tij (VIDEO)

Delo.autor

Leave a Comment