Futboll Kategoria Superiore Sport

PIKANTET E SKËNDERBEU-PARTIZANI/ Gjakoset anësori, arbitrit kryesor i mbaron edhe… shkuma (VIDEO)

Ndeshja mes Skënderbeut dhe Partizanit në Korçë kishte disa momente të veçanta, një pjesë e tyre negative. Goditja ndaj anësorit nga tifozët vendës, pa dyshim e njollosi sfidën. “Panorama Sport” ju sjell disa nga momentet interesante të kësaj ndeshjeje.

* Në një ndeshje të rëndësishme dhe me një histori rivaliteti mes dy ekipeve shton ndjeshëm interesin e tifozëve, të cilit ishin të shumtë në stadium. Pavarësisht temperaturave të ulëta, më shumë se 2000 tifozë kanë qenë të pranishëm në këtë takim.

* Presidenti i Skënderbeut, Ardjan Takaj, qëndron si gjithmonë në vendin e tij për të ndjekur ndeshjen, ndërsa Partizani nga ana tjetër përgjigjet me dyshen Demi-Rama, të cilët së bashku me delegacionin e gjerë, ndjekin me interes çdo çast të këtij takimi.

* Goli gëzon Skënderbeun, por irriton Partizanin. Trajneri Mehmeti nuk është aspak i kënaqur me të tijtë dhe kërkon më shumë nga mesi i fushës dhe ofensiva, për të mbajtur ekipin lart dhe për të diktuar lojën ndaj korçarëve.

* Kapiteni i Skënderbeut, Vangjel Zguro, një nga më luftarakët në fushë për Skënderbeun është lojtari, që ka grintën më të madhe. Fillimisht i kërkon llogari gjyqtarit të katërt për vonesën e rikthimit të tij në lojë, pasi mori ndihmën mjekësore. Më pas i kërkon Rrapajt të çohet dhe të mos ndalojë lojën duke simuluar.

* Tifozët e Partizanit protestojnë fort pas golit të pësuar. Në një moment gjyqtari Bastari thërret Malën dhe e udhëzon të shkojë të qetësojë ultrasit e të kuqve, të cilët kishin ardhur nga Tirana për të mbështetur ekipin.

* Në një moment të lojës, në pjesën e parë, Rrapaj dëmtohet dhe ka nevojë për ndihmën e mjekëve. Më pas ai nuk del nga fusha, veprim i cili është kundër rregullores. Këtë e vëren arbitri Bastari, i cili në një moment e ngatërron Rrapajn me Carën dhe i thotë kavajasit të dalë jashtë. Shumë shpejt gjithçka qartësohet.

* Fusha e stadiumit të Skënderbeut ishte në kushte aspak të mira. Terreni ishte shumë i butë. Lojtarët e kishin shumë të vështirë të kontrollonin topin në lojën poshtë dhe sfera nuk kërcente kur përplasej në tokë. Në këto kushte, loja në ajër u bë mënyra e vetme efikase për të luajtur.

* Rreth minutës së 70-të arbitri Bastari përballet me një befasi. Gjatë një goditjeje të ndaluar, ai tenton të vendosë shenjën me sarajin e tij, por pajisja nuk i përgjigjet. Në këto kushte, ai e hedh jashtë fushës dhe vazhdon lojën.

* Në minutat e fundit ndodhi një episod aspak i përshtatshëm në futbollin tonë, aq më shumë në një qytet si Korça, që njihet si një nga qytetet më “fair play”. Pas përmbysjes së Partizanit, fansat vendës nisin të bëhen agresivë dhe dufin e shfryjnë te gjyqtari anësor, Orgest Grabova, i cili goditet me një send të fortë dhe pëson një çarje në kokë. Ndalet loja dhe mjekët e Partizanit i mjekojnë plagën. Më pas vijon gjithçka normalisht.

Related posts

GATI PËR SHKËMBIMIN E BUJSHËM/ PSG-ja dërgon ofertën për mesfushorin e skuadrës italiane

F.autor

Kontaktet me Neymar, Ronaldo ‘kërcënon’ me largim nga Reali (FOTO)

Q.Autor

TOTTENHAM-INTER/ Shikoni klasin e Brozovic, tronditet shtylla e londinezëve (VIDEO)

Delo.autor

Leave a Comment