Futboll Kategoria Superiore Sport

“S’E KA FAJIN FATI”/ Sadriu: Kemi lënë 5 pikë, me Tiranën bëjmë ndeshje të madhe

Skënderbeu ndodhet në një moment delikat për sa i përket këtij sezoni, sidomos pas humbjes së dyfishtë ndaj Teutës si dhe ndaj Kukësit. Humbje këto që duket se sollën një situatë disi më të komplikuar për korçarët qoftë në kampionat ku nuk fitojnë që prej mesit të muajit dhjetor ashtu edhe në Kupë që duhet të përmbysin humbjen e parë. Normalisht një gjendje e tillë kërkon reflektim dhe mbi të gjitha reagim.

I tillë është mendimi i Leard Sadriut, mbrojtësit kosovar të Skënderbeut, i cili në një prononcim të dhënë për “Panorama Sport”, tregon situatën në të cilën ndodhen korçarët, por edhe faktin se duhet të bëjnë më shumë për të kaluar këtë moment delikat.

“Normalisht që pas këtyre rezultateve jemi të mërzitur, pasi e dimë që nuk është një gjendje e mirë e cila nuk mund të krijojë ndjesi pozitive. Kemi analizuar gjithçka që ka ndodhur në ndeshjet e fundit dhe jemi të qartë se cilat janë përgjegjësitë tona. Kemi bërë dy ndeshje jo në nivelin e duhur dhe kemi rënë disi nën tonusin e ndeshjeve të mëparshme. Por, mund të them se nuk është thjesht mungesë loje nga ana jonë, por edhe mungesë fati në momente të caktuara. Kemi lënë katër apo pesë pikë rrugës në tri ndeshje për shkak të rasteve të humbura në fund të ndeshjes për të shënuar.

Jemi ndëshkuar në të vetmin rast që ka goditur Teuta në portë, si në Kupë ashtu edhe në kampionat. Pra, duket qartë se edhe fati nuk ka qenë në krahun tonë. Por, sigurisht nuk duhet t’i kërkojmë të gjitha përgjegjësitë te fati apo rastësia. Duhet të jemi më cinikë dhe të tregohemi më burra në fushë, për të marrë atë që duam të marrim nga një takim”, theksoi fillimisht mbrojtësi i shpresave të Kosovës.

OBJEKTIVAT – Normalisht që kur flitet për reagim, duhet parë edhe kundërshtari që ke përballë dhe në këto kushte duket se kalendari nuk favorizon aspak Skënderbeun në ndeshjen e radhës. Korçarët do të ndeshen me Tiranën që po shtyp këdo ekip që i del para dhe më pas kanë një rezultat 0-1 për të përmbysur. Por, përtej kësaj, Sadriu është i mendimit se me bindje korçarët mund të bëjnë më të mirën edhe përballë këtyre takimeve delikate.

“Normalisht të luash ndaj Tiranës është diçka tjetër, pasi ata po diktojnë kampionatin, por ne kemi treguar se në të tilla ndeshje bëjmë paraqitje të mëdha. Do të shkojmë atje për të dhënë maksimumin tonë dhe të dalim të bindur se me të vërtetë dhamë gjithçka përtej rezultatit. Nga ana tjetër, kemi edhe një ndeshje Kupe për të përmbysur. Mund t’ia dalim. Unë jam besimplotë se kemi mundësi të tregojmë sërish lojën që kemi bërë deri në fund të vitit të kaluar”, mbylli prononcimin e tij Sadriu.

Related posts

TËRMET TEK INTERI/ SUPER mesfushori më i SHTRENJTË i zikaltërve FIRMOS me…

Isa.Autor

PROBLEMET ME SHËNDETIN/ Nga STRINIC te CASANO, ja rastet kur klubi të shpëton…

Isa.Autor

ZYRTARE/ Kontratë 2-vjeçare, Tirana prezanton ish-mbrojtësin e Kastriotit

Delo.autor

Leave a Comment