Futboll Kategoria Superiore Sport

SITUATA DELIKATE/ Mbledhje urgjente pas derbit me Partizanin, Dinamos i bëhet makth edhe… mbijetesa

Pika në derbin me Partizanin pas katër humbjeve radhazi nuk bën shumë punë për Dinamon.

Situata e mbijetesës në Superiore është bërë edhe më e vështirë për blutë, pasi ata kanë humbur edhe avantazhin në raport me rivalët e këtij objektivi. Egnatia e parakaluar në tabelën e renditjes, duke e zbritur Dinamon në zonën e “play out”-it, por edhe nga vendi i 9-të dhe i 10-të diferenca e pikëve është respektivisht 2 ndaj Kastriotit dhe 3 ndaj Skënderbeut.

Një situatë, që në fillim të sezonit as që mund të imagjinohej. Përkundrazi, besohej shumë për një rikthim të bujshëm, duke parë investimet që u bënë, por fusha foli ndryshe.

MBLEDHJE URGJENTE – Menjëherë pas barazimit pa gola të së premtes në “Elbasan Arena” ndaj Partizanit, stafi teknik njoftoi futbollistët për një mbledhje mesditën e së shtunës.

Trajneri Bledar Devolli dhe ndihmësit e tij kanë pasur kritika për lojën, që në derbi ishte shumë larg asaj me Teutën. Dinamo krijoi vetëm një rast shënimi dhe vuajti shumë përballë Partizanit, madje rrezikoi të pësonte gol edhe kur kundërshtari mbeti me 10 vetë gjatë minutave të fundit.

Ishte një kambanë alarmi e fortë dhe për këtë arsye stafi blu kërkoi menjëherë mbledhje për t’u tërhequr ‘veshin’ futbollistëve.

Nuk ka marrë pjesë në këtë mbledhje presidenti Adrian Bardhi dhe nuk bëhet fjalë për masa ndëshkimore, por gazeta mëson se qëllimi i stafit është që ta mbajë skuadrën sa më të përqendruar për ndeshjet në vazhdim, që bëhen gjithmonë e më të vështira. Futbollistëve u është kërkuar gjithashtu që të mos kenë asnjë komunikim me shtypin në këtë situatë delikate.

MAKTHI – Deri në eliminimin nga Kupa e Shqipërisë nga Partizani, në kampin dinamovit kishte ende shpresa për një vend të mundshëm në Kupat e Europës, më pas erdhën disa humbje radhazi në kampionat dhe ky objektiv ra poshtë.

Por, nëse deri pak javë më parë mendohej se të paktën skuadra nuk do të rrezikonte rënien nga kategoria, tashmë situata ka ndryshuar shumë. Rreziku i rënies është real dhe nuk është e vështirë të kuptohet se ky moment delikat ka rikthyer makthet e Kategorisë së Parë te Dinamo.

Blutë nuk po arrijnë të vrasin frikën për një seri rezultatesh negative, ndërkohë që presioni sa vjen dhe shtohet.

Ai barazim ndaj Partizanit nuk mund të konsiderohet pikë kthese, edhe pse një pikë është më mirë se asgjë. Këtë herë loja la shumë për të dëshiruar dhe mbetet të shihet se sa Dinamo do të gjejë forca për të shpëtuar nderin e tij me qëndrimin në elitë.

Related posts

NBA/ Pas eliminimit nga play off, Houston mbetet edhe pa trajner

Delo.autor

(FOTO) Atalanta – Napoli, njihuni me notat për Hysajn dhe Berishën

Q.Autor

NDESHJA ME KASTRIOTIN/ Kërkohet me çdo kusht trepikëshi, ja dy titullarët që mungojnë për Shkëmbin

Delo.autor

Leave a Comment