Futboll Kategoria Superiore Sport

TABELA/ Kanë provuar 7 stadiume të ndryshme, Kukësi zbraz xhepat si… pritës

Edhe këtë javë Kukësi nuk do të mund të rikthehet në stadiumin e vet, pasi ende nuk është gati për të pritur një ndeshje zyrtare, sepse ekspertët nuk kanë dhënë ende dakordësinë përfundimtare. Moti i keq me temperaturat e ulëta ka bërë që të shtyhet vazhdimisht inaugurimi i tij.

Ndërsa këtë javë, ndeshjen me Teutën, skuadra e Diego Longos do ta zhvillojë në Shkodër, aty ku më herët ka luajtur edhe tri takime të tjera si pritës. Mirëpo, përpos kostos sportive që Kukësi nuk luan në shtëpinë e vet, duke mos pasur përkrahjen e tifozërisë vendëse, këto ecejake sa në një stadium në tjetrin, kanë edhe një kosto financiare jo të vogël.

KOSTOJA – “Panorama Sport” i ka bërë një vëzhgim ndeshjeve që Kukësi këtë sezon ka zhvilluar si pritës dhe duke llogaritur sfidën me durrsakët, bëhen plot 13 takime, duke mos lënë jashtë edhe dy sfidat e Kupës. Duke iu referuar çmimeve të referencës për çdo stadium që duhet paguar, verilindorët kanë shpenzuar deri më tani plot 36 milionë lekë të vjetër vetëm për të pasur një terren.

Bëhet fjalë për një kosto jo të vogël në futbollin shqiptar, për më tepër që këtë sezon verilindorët janë munduar që të ulin disi shpenzimet me pagesat e lojtarëve.

Praktikisht, Kukësi ka luajtur në 7 stadiume të ndryshme dhe si për ironi të fatit, në ato impiante që ka luajtur si udhëtues, në shumë raste kanë qenë edhe vetë pritësit. Në një kohë që çdo javë që kalon, kostoja mund të rritet edhe më tej, në Kukës është kthyer në një domosdoshmëri rikthimi sa më parë në “Kukës Arena”.

STADIUMET – Duke parë se problemet me stadiumet i kanë disa skuadra, Kukësit shpesh i është dashur të rakordohet edhe me skuadrat e tjera për të gjetur një fushë të lirë. Më i preferuari ka qenë “Loro Boriçi”, i cili me përballjen e fundit ndaj Teutës këtë fundjavë shkon në katër prezenca si pritës. Pas tij vjen “Elbasan Arena” me tri ndeshje dhe “Arena Egnatia” me dy. Në “Air Albania” dhe Laç kanë luajtur nga një takim, ashtu si edhe në Kamzë dhe Vlorë, në këto të fundit për ndeshjet e Kupës.

SHQETËSIMI – Në lidhje me situatën e stadiumit, është një shqetësim që e ka ngritur më herët edhe vetë trajneri Diego Longo, i cili ndryshe nga ekipet e tjera, është ankuar që çdo javë do të duhet të luajë në një tjetër stadium. Në njëfarë mënyre ky fakt është parë edhe si një shkak për mosmarrjen e rezultateve në disa ndeshje, ndonëse në Kukës nuk duan të kërkojnë alibi për këtë çështje.

INAUGURIMI – Kukësi ka tri vite që luan jashtë qytetit të vet dhe pritej që në fillim të këtij edicioni, në muajin shtator të ishte gati. Mirëpo, afatet janë shtyrë vazhdimisht dhe aktualisht opsioni më i mundshëm është muaji Mars, me shpresën që edhe temperaturat të rriten disi.

Ajo që po e mban “peng” inaugurimin është pikërisht tapeti, i cili nuk ka ardhur ende në kushtet ku duhet për të pritur një ndeshje.

Related posts

MERKATO E BUJSHME/ Mbrojtësi shqiptar ndryshon skuadër në Rumani, ja klubi i ri i Rrumbullakut…

Delo.autor

“LUFTA” PËR TRASHËGIMINË/ Zbulohet video e testamentit të legjendës, Maradona pasurinë e tij do t’a…

Delo.autor

Yjet francezë të Barcelonës po përpiqen të bindin, Griezmann

Sadik.Autor

Leave a Comment