Futboll Kategoria Superiore Sport

SFIDA NDAJ KUKËSIT/ Mbrojtësi tremb Partizanin, lë stërvitjen i fashuar dhe pritet të mungojë

Partizani zhvilloi dje stërvitjen e radhës në kuadër të përgatitjeve për ndeshjen ndaj Kukësit, e vlefshme për javën e 23-të të Kategorisë Superiore.

Seanca ishte planifikuar të niste në orën 13:00, por nisi pak më vonë, në 13:16.

Mehmeti fillimisht i mblodhi rreth tij të gjithë dhe mbajti një fjalim të shkurtër, teksa anës fushës, në tribunën e vogël, stërvitjen e ndoqi drejtori i përgjithshëm i klubit, Olsi Rama, i cili ndryshe nga çfarë ndodhte në kohën e Ilir Dajës, po shihet më shpesh në kompleksin stërvitor.

Rama pa thuajse gjithë stërvitjen, i shoqëruar nga persona të afërt të tij.

SEANCA – Pjesën e parë të stërvitjes Mehmeti e mënjanoi nga taktika dhe u kujdes të krijonte një atmosferë pozitive dhe konkurruese në skuadër.

Ekipi u nda në dy pjesë dhe trajneri u mor kryesisht me titullarët, ndërsa ndihmësi i tij, Fatjon Tafaj, ishte nën drejtimin e pjesës tjetër, teksa u bë pjesë edhe në disa prej lojërave të zhvilluara dhe u duk në gjendje mjaft të mirë atletike.

Pas kuadrateve, ekipi u impenjua në përgatitje atletike, nën urdhrat e Sakones, që si gjithmonë, mundohet t’i sforcojë në maksimum lojtarët, për të pasur një përgatitje dhe rezistencë sa më të mirë fizike.

HADROJ – Pas stërvitjes atletike, ekipi u nda në dy pjesë dhe zhvilloi një minindeshje.

Gjatë saj ndodhi edhe një incident i pakëndshëm, që me siguri do të ketë pasoja edhe për ndeshjen ndaj Kukësit.

Hadroj, në një duel, pësoi goditje në kavilje. Menjëherë ndërhynë mjekët, të cilët sinjalizuan trajnerin se mbrojtësi nuk mund të vazhdojë.

Pukjani doli duke çaluar nga fusha dhe më pas fizioterapistët i fashuan këmbën.

Ekzaminimet mjekësore do të tregojnë shkallën e dëmtimit të ish-mbrojtësit të Bylisit, por ndeshja është vetëm nesër dhe koha nuk premton aspak.

Kështu, me siguri Hadroj nuk do të jetë i gatshëm për Mehmetin.

Ashtu siç ndodhi edhe në stërvitje, lojtari që e zëvendëson pritet të jetë Sota, i cili në ndeshjet kur i është dhënë mundësia të luajë, ka bërë shumë mirë të dyja fazat e lojës.

PA SEKRETE – Formacioni i Partizanit me siguri nuk do të jetë diçka e panjohur për Kukësin.

Kur Mehmeti po bënte taktikën, anës fushës kaloi Rrahman Hallaçi me ekipin U-21 të verilindorëve, të cilët ishin caktuar të stërviteshin menjëherë pas Partizanit. Dihet tashmë se Hallaçi përveçse drejton të rinjtë, është edhe ndihmës i Longos.

Related posts

PRESIDENTI HALILI PREMTOI 3 AFRIME/ Ja lojtari i parë që bashkohet me Tiranën

Delo.autor

TRAJNERI ENRIQUE E DO URGJENT NË KOMBËTARE/ Futbollisti spanjoll braktis pushimet në Mykonos me të dashurën

Delo.autor

STATISTIKAT/ Shqipëria më mirë në transfertë, Izraeli në moment delikat. Ja kush janë goleadorët

Isa.Autor

Leave a Comment