Futboll Kategoria Superiore Sport

PARTIZANI NË KËRKIM TË NJË SULMUESI/ “Demat” nisin bisedimet me ish-golashënuesin e Shkëndijës

Në kushtet që Skuka mund të largohet, por edhe nëse qëndron i duhet një partner në sulm, Partizani ka nisur që tani lëvizjet për gjetjen e një tjetër “pyke”. Besart Ibraimi është i zgjedhuri i drejtuesve të kuq.

Sulmuesi është një emër i madh, veçanërisht në kampionatin e Maqedonisë së Veriut, ku ka shkëlqyer me Vëllazërimin e Renovën në nisje të karrierës e me Shkëndijën për disa vite, pas kthimit nga “shtegtimi” në Europë, ndër të tjera me Shalken në Bundesliga.

Burime pranë lojtarit nga Kërçova bëjnë me dije për “Panorama Sport” se Partizani ka krijuar sërish kontakte me palën e lojtarit dhe ka nisur tratativat për firmën me të. Ibraimi është kërkuar edhe në verën e shkuar nga të kuqtë, por oferta e Ksanthit në Greqi e mposhti propozimin e “demave”.

Tashmë duket se është momenti i duhur, pasi edhe Ibraimi është gati të provojë për herë të parë të luajturit me një klub të Kategorisë Superiore dhe me Partizanin, që është favoriti për të firmosur me të.

Megjithëse nuk ka asgjë zyrtare, bisedimet mes palëve janë në fazë të avancuar dhe synimi i Partizanit është që ta ketë Ibraimin të gatshëm për ndeshjet kualifikuese të Ligës së Konferencës, në rast se e arrijnë këtë objektiv.

Ibraimi është lojtar i lirë. Ai ka ndërprerë së fundmi marrëdhënien me Ksanthin, ku luajti në 16 ndeshje dhe shënoi 7 gola.

Te Shkëndija ai pati kulmin e karrierës. Në sezonin e shkuar, kërçovari shënoi plot 24 gola dhe u shpall golashënuesi më i mirë i ligës së vendit fqinj. E vetmja rezervë që mund të kemi për Ibraimin, është mosha e tij, pasi në dhjetorin e shkuar ai mbushi 35 vjeç, teksa te Ksanthi nuk ka luajtur rregullisht dhe nuk është në formën e tij më të mirë fizike.

Gjithsesi, vlerat e Ibraimit janë të pamohueshme dhe eksperienca e tij e madhe do të ishte një bonus i madh për Partizanin.

Related posts

CEREMONIA PËRKUJTIMORE NË NDERIM TË KOBE BRYANT/ Vanessa: Jetoni të qetë në Parajsë dhe argëtohuni (VIDEO)

Delo.autor

PUBLIKOHET KALENDARI DHE DATAT/ Mësoni përballjet në Kategorinë e Parë për sezonin e ri

Delo.autor

RIKTHEHET “NOTORIUOS”/ Conor McGregor lë sërish kafazin, gati të sfidojë legjendën e boksit

Delo.autor

Leave a Comment