Futboll Sport

SIMBOLI I MILANIT DHE I INTERIT/ Tonali-Barela, titulli kampion kalon nga tifozët e kthyer në flamuj

Të luajë me klubin me të cilin është tifoz, është një ëndërr për çdo fëmijë që shkelmon topin. Jo të gjithë e arrijnë, por shembujt që na vijnë nga Milano janë më shumë se frymëzues.

Sandro Tonali dhe Nikolo Barela i kanë dashur prej një jete ngjyrat kuqezi dhe ato zikaltër dhe Milani e Interi janë bërë tashmë fati i tyre.

Sa të ndryshëm aq edhe të ngjashëm, mesfushorët janë shndërruar në busullën e skuadrave të tyre e më shumë akoma në flamuj, nga ata që të gjithë duan t’u shikojnë në krah shiritin e kapitenit.

Kur Milani dhe Interi luftojnë për titull, duket se i gjithë rrugëtimi ka kaluar nga këmbët e tyre.

Një betejë nga fundi, Tonali ka shansin të barazojë Barelën edhe në numrin e titujve të fituar me skuadrën e zemrës, për t’i dhënë jetë më pas një tjetër sezoni ku lufta nis nga fillimi.

Por deri atëherë, krahasimi mes tyre është i pashmangshëm.

TRANSFERIMET – Sandro Tonali në fakt ka qenë pranë Interit dy vite më parë, por ishte ndërhyrja e Milanit që nuk i la më vend për dyshim djaloshit të Breshias, që zgjodhi skuadrën e zemrës së tij, për të cilën bënte tifozllëk që fëmijë.

“Nuk donte të dëgjonte më asgjë pasi mori vesh interesin e kuqezinjve”, shprehej Çelino, presidenti Breshias në 2020-ën, një fjali që përmbledh të gjithë ndjesinë që Sandro ka për Milanin.

Ndërkohë që të njëjtat përjetime ka pasur edhe Nikolo Barela që tri vite më parë realizoi një nga objektivat që shënonte në fletore kur rritej: të vishte fanellën e Interit dhe të fitonte trofe me zikaltrit.

Me largimin nga Kaljari në 2019- ën, Nikolo ia doli t’i realizonte të dyja me titullin e fituar sezonin e shkuar.

IDHUJT – Tonali i turpshëm i moshës 20-vjeçare i merr në fillim leje Gatuzos për numrin e fanellës, njërit prej idhujve të tij. Për Barelën, nuk mund të ishte dikush tjetër veç Ronaldo “Fenomenit” bashkë me Stankoviçin, mesfushorin që Nikolo donte t’i ngjante.

RRITJE DHE PERSONALITET – Shkurtimi i rrogës në verën e shkuar bëri që Tonali të rrëmbente zemrat e kuqezinjve.

“E ndjeva kështu, sepse duhet të bëja një hap drejt Milanit për të vazhduar bashkë”, thoshte 22-vjeçari, një bashkim që ka rezultuar një nga më të frytshmit deri më tani.

Jo reduktim, por rinovim, ka pasur në krahun tjetër Barela, që afatin deri në 2026-ën në kontratën e firmosur këtë vit, duket se e ka thjesht fiktiv pasi premtimet e tij për besnikëri shkojnë përtej kësaj.

Të dy kanë pësuar një rritje të ndjeshme, jo vetëm në anën teknike, por mbi të gjitha në rolin që kanë marrë në dhomat e zhveshjes dhe personalitetin që u japin atyre.

Sandro ka lënë pas ndrojtjen dhe është shfaqur herë si luftëtar e herë si dikush që depërton mes mbrojtjeve kundërshtare duke gjetur gola me peshë si ai ndaj Veronës.

25-vjeçari Nikolo duket ndërkohë si veteran nga mënyra si përpiqet, si gëzohet, si dëshpërohet duke qenë edhe pikë kyçe në lidhjen e reparteve zikaltër.

SHIFRAT – Numrat munden vetëm të na ndihmojnë të krahasojmë kontributin e tyre sezonal dhe variablat ku njëri është më mirë se tjetri, pasi asnjë prej tyre nuk mund të kundërshtojë faktin që pesha e tyre në skuadër ka përmasa gjigante.

Nëse kontributin e matim me gola, numërojmë 5 të kuqeziut ndaj 3 të zikaltrit, ndërkohë që ky i fundit është dukshëm superior me 12 asistet e tij, kundrejt 3 të Tonalit.

Por më shumë se kjo, Interi dhe Milani i janë gëzuar performancës së tyre. Inzagi e ka lënë në fushë Nikolon për 2874 minuta, gjatë të cilave ai ka rikuperuar 188 topa, ka goditur 64 herë portën dhe ka krijuar 123 raste për gol.

Pioli ndërkohë ka parë topin të rikuperohet 186 herë nga Tonali, që ka goditur portën 36 herë dhe ka krijuar 70 raste në 2561 minutat që ka pasur në dispozicion.

Ama nuk mund t’i mungonte saktësia e pasimeve, ajo që në fund të ditës bën diferencën për dy mesfushorë si ata.

Më i saktë Sandro me 85.2% precizion në pasime, ndërsa Barela e dërgon topin ku duhet në 84.9% të rasteve.

23 milionë eurot e paguara për Tonalin dhe 45 milionë eurot e paguara për Barelën kanë bërë që Milani dhe Interi të sigurojnë qendrën e mesfushës edhe për të ardhmen, një dyshe që mund të bëjë edhe kombëtaren e Italisë të buzëqeshë.

Related posts

ELIMININATORET “KATAR 2022″/ Një shqiptar synon Botërorin me shtetin aziatik…

Delo.autor

Media gjermane paralajmëron SKANDAL TJETËR: UEFA fshehu dopingun e futbollistit që…

Isa.Autor

Në derbi i solli fitoren Milanit, Cutrone: Dua të qëndroj në San Siro

Q.Autor

Leave a Comment