Futboll Sport

E ULI RROGËN PËR BARCELONËN/ Levandovski: Do kthehem te Bajerni…

Robert Levandovski është zyrtarisht një lojtar i Barcelonës. Telenovela më e nxehtë e verës ka përfunduar me një fund të lumtur për sulmuesin polak, teksa dëshira e tij për të shkuar në Barcelonë ka prevaluar mbi kontratën që ai kishte me Bajernin.

Sulmuesi i kombëtares polake ka hequr dorë nga jo pak benefite për të veshur fanellën “blaugrana”, përfshirë dhe një ulje të ndjeshme të rrogës së tij.

Gjithçka është zgjidhur të shtunën, me dy klubet që kanë konfirmuar marrëveshjen mes tyre për kalimin e tij në “Camp Nou”. Barcelona pritet t’i bëjë një prezantim të veçantë sulmuesit të saj, por për momentin koha nuk pret. Të shtunën në mëngjes Leva ka lënë menjëherë Mynihun për t’u nisur drejt Majorkës.

Që nga Majorka ai ka udhëtuar dje për në Madrid dhe që nga Madridi ai ka marrë avionin për në Majemi për t’iu bashkuar shokëve të rinj.

SHIFRAT E MARRËVESHJES – Robert Levandovski ka lënë Bajernin e Mynihut për të kaluar te Barcelona, skuadër me të cilën do të luajë për 4 sezonet e ardhshme. Kjo ka qenë një arsye e fortë përse polaku ka sakrifikuar jo pak nga përfitimet e tij financiare.

Siç bëjnë me dije mediat spanjolle dhe ato gjermane, Levandovski do të marrë 9 milionë euro neto në sezon te Barcelona, 3 milionë neto më pak nga çfarë përfitonte te Bajerni i Mynihut.

Por sulmuesi i ka kushtuar jo pak dhe klubit katalanas. Dy klubet e përfshira në marrëveshje nuk kanë zbuluar asnjë detaj financiar të operacionit. Por në mediat gjermane dhe ato spanjolle është folur për 45 milionë euro bazë si dhe 5 milionë euro të tjera në formë bonusesh, duke e çuar shifrën në 50 milionë euro.

Por gazeta më e madhe spanjolle “El Pais” ka theksuar se në të vërtetë shifrat që Barça do t’i paguajë Bajernit është 60 milionë euro.

Sipas kësaj gazete përtej 45+5 që është e sigurt, në marrëveshjen që dy klubet kanë arritur mes tyre parashikohet edhe një shumë tjetër prej 10 milionë eurosh që Barcelona i detyrohet Bajernit në rast se Levandovski do të përmbushë sezonin e tij të parë në “Camp Nou”.

Por Barcelona i ka kërkuar një nder Bajernit që në media të deklarohet shuma 50 milionë euro për të shmangur përplasjet me opinionin në Spanjë.

INTERVISTA – Levandovski ka zgjedhur gazetën gjermane “Bild” për të dhënë intervistën e tij të parë si një lojtar i Barcelonës.

Para nisjes drejt Majorkës ai ka folur për këtë gazetë, duke shpallur objektivat me Barçën si dhe ndarjen nga Bajerni i Munihut. Polaku ka saktësuar se do të kthehet sërish në Mynih për t’u përshëndetur “si duhet me shokët dhe klubin”.

“E di që së shpejti do të bëhem 34 vjeç, por ndihem i fortë fizikisht dhe mendërisht.

Dhe Barça i sheh gjërat në të njëjtën mënyrë. E di që Barça kishte probleme sezonin e kaluar, por është një klub me potencial të jashtëzakonshëm. Mendoj se klubi është në rrugën e duhur për t’u rikthyer në krye dhe qëllimi im te Barça është i qartë: të fitoj trofe”, ka thënë Leva që nuk ka harruar Bajernin. “Javët e fundit kanë qenë të vështira.

Kam shumë gjëra në mendjen time, por mosha dhe përvoja më kanë ndihmuar të jem i qetë. Po të isha më i ri, do të isha më i stresuar.

E di që nuk kishte kohë për një lamtumirë të duhur në dhomat e zhveshjes. U thashë të gjithëve se do të kthehem në Mynih për të thënë një lamtumirë të duhur.

Doja të luaja në një vend tjetër përveç Bundesligës, ky ishte një vendim që e kisha marrë shumë kohë më parë. Dua të theksoj se ishte vendimi më i vështirë i jetës sime.

Kanë qenë tetë vite fantastike këtu dhe shpresoj që, me kalimin e javëve, të gjitha problemet e ndodhura javët e fundit të sheshohen”, ka thënë Leva për “Bild”.

Related posts

ALEKSI GATI PËR EKIPIN E LUFTËTARIT/ Ndaj Laçit luhet pa tifozë

Isa.Autor

Trajneri i Brazilit ka vetëm 7 dilema, kush do të bashkohet me 16 të konfirmuarit?

Sadik.Autor

Granit Xhaka “BOMBARDON” Serbinë me një SUPER GOL (VIDEO)

Sadik.Autor

Leave a Comment