Futboll Sport

“MESSI, MË I MIRI I HISTORISË…”/ Pep: Pa Champions-in, karriera ime te Siti e papërfunduar

Trajneri i Mançester Sitit, Pep Guardiola, thotë se karriera e tij në klub nuk do të quhet e plotësuar nëse “Qytetarët” nuk fitojnë Ligën e Kampioneve. Tekniku katalanas rinovoi kontratën e tij në “Etihad” deri në vitin 2025, ndërsa sezoni i Premier Ligës u ndërpre për t’i lënë vendin Botërorit të parë dimëror në histori.

51-vjeçari firmosi një kontratë deri në vitin 2025 pak ditë pas ndërprerjes së sezonit. Siti ka fituar 9 trofe të rëndësishëm që kur Pep u ul në stolin e tyre në vitin 2016, por Champions-in nuk e kanë fituar ende. Ata iu afruan më shumë suksesit europian në vitin 2021, kur mbërritën deri në finale, por u mundën nga Çelsi. Përveç finales në Portugali, ata u eliminuan në mënyrë dramatike nga Reali i Madridit në gjysmëfinale sezonin e shkuar dhe janë eliminuar tri herë në çerekfinale. Por Pep e nisi karrierën europiane në “Etihad” me një eliminim në 1/8- at nga Monako.

Përpara ndeshjes së sotme të 1/8-ave në Kupën e Ligës kundër Liverpulit, Guardiola tha: “Nuk është i vetmi trofe, por unë e pranoj që është trofeu që ne duam dhe periudha ime këtu nuk do të jetë e kompletuar nëse ne nuk e fitojmë atë. Unë do të bëj gjithçka në kohën që do të jemi bashkë, por do të thosha të njëjtën gjë edhe më përpara. Është trofeu që nuk e kemi dhe do të përpiqemi ta fitojmë. Unë kam ndjesinë se do ta fitojmë herët a vonë”.

Siti do të ndeshet me Lajpcigun në 1/8-at e Champions-it këtë sezon dhe ata do të përpiqen të bëhen klubi i pestë që fiton titullin kampion në Angli në tri vite radhazi. Por tani vëmendja është te Liverpuli. Guardiola e ka fituar Kupën e Ligës 4 herë, po aq sa trajnerët rekordmenë Braian Klaf, Sër Aleks Ferguson dhe Zhoze Murinjo. Por Siti është skuadra që do ta vuajë shumë Botërorin, pasi kishte 16 lojtarë në Katar. Ake, Akanzhi, Rodri dhe Laport janë rikthyer në stërvitje në fillim të kësaj jave dhe do t’i bashkohen De Bryjnes, Gyndoanit, Halandit dhe Mahrezit në listën e lojtarëve që janë të gatshëm sot për Liverpulin.

“Hap pas hapi ata do të kthehen. Jemi të lumtur që jemi rikthyer. Kam përshtypjen se ata që ishin në Botëror janë në një formë më të mirë sesa ata që nuk ishin, sepse lojtarët që nuk shkuan u mungon ritmi”.

ARGJENTINASIT – Guardiola vlerësoi edhe sulmuesin e tij Hulian Alvarez, i cili ishte një nga yjet e Argjentinës në triumfin në Katar. Por përveç 22-vjeçarit, ai uroi edhe ish-yllin e tij, Lionel Mesin dhe ish-mbrojtësin e Sitit, Nikolas Otamendin: “Ne jemi të lumtur për Hulian, ai luajti shumë dhe dha një kontribut të shkëlqyer për skuadrën. Kemi një kampion bote në skuadrën tonë. Jemi shumë të lumtur për të. Urime atij dhe Otamendit dhe personalisht edhe Mesit dhe Argjentinës. Ai është më miri i të gjitha kohërave edhe nëse nuk do ta kishte fituar Kupën e Botës. Trofeu ishte më se i merituar”.

Related posts

Tare blindon yjet, nuk kënaqet as me 100 milionë euro

Q.Autor

MUNGON ZYRTARIZIMI/ Edy Reja firmos kontratën e re me Dukën, ja objektivi i vendosur nga FSHF

Delo.autor

ZHYTEN NË KRIZË TË THELLË PAS HUMBJES NË TORINO/ Drejtuesit e Milanit bëjnë veprimin e papritur

Delo.autor

Leave a Comment