Futboll Sport

NGA IBRA TE MALDINI/ Gjermani Çau rrëfehet nga grumbullimi: Milani ëndërr, Champions-i është shtëpia jonë

Malik Çau po rezul ton të jetë blerja më e mirë e Milanit, me mbrojtësin që ka fituar vendin e tij si titullar në formacionin kuqezi dhe që përveç kësaj po kalon një moment të artë edhe me kombëtaren, ku ka fituar ftesën e përfaqësueses së parë të Gjermanisë për herë të parë. 21-vjeçari është rrëfyer nga grumbullimi për faqen zyrtare të federatës, duke u ndalur te Milani, te legjendat kuqezi, te kombëtarja dhe tek ëndrrat që synon të realizojë.

Në cilën gjuhë ëndërroni dhe si ndiheni kur një ëndërr si kjo realizohet?

Në gjermanisht (qesh). Jam i lumtur dhe krenar. Dhe kjo tregon se i gjithë mundi i këtyre viteve të fundit, mbështetja e pakushtëzuar e familjes sime, që më kanë qëndruar gjithmonë pranë, po jep rezultate. Por edhe tani që jam këtu me kombëtaren nuk dua të ndalem në zhvillimin tim, dua të mësoj dhe të përmirësohem.

Si i mbani këmbët në tokë kur gjërat përshkallëzohen kaq shpejt dhe një shtyp jobujar si ai italian ju quan “legjenda e re”?

Secili ka pikën e tij të referencës. Për mua është familja ime. Prindërit më kanë rritur që të jem gjithmonë një njeri modest dhe me këmbë në tokë.

Edhe një legjendë si Paolo Maldini flet mirë për ju.

Si drejtor sportiv, ai merr pjesë në çdo seancë stërvitore. Ai e di saktësisht se në cilat drejtime duhet të përmirësohem dhe në cilat drejtime tashmë po bëj mjaft mirë. Kjo është ajo që ai më jep dhe unë i jam shumë mirënjohës.

Nuk e keni parë Maldinin të luajë, por cili kuqezi ju ka pëlqyer?

Ronaldinjo ishte i pari. Por në retrospektivë, lojtari që e lidh më shumë me Milanin është Kevin Princ Boateng. Dy golat e tij kundër Barcelonës dhe Arsenalit më çmendën në atë kohë. Unë isha ende shumë i ri, i shikoja ndeshjet në TV dhe mendoja: Uau!

Tani ju vetë keni veshur fanellën e kuqezinjve.

Sa herë që hyj në dhomën e zhveshjes dhe shoh fanellën me numrin dhe emrin tim sipër jam i lumtur dhe krenar, por nuk e besoj akoma.

Në atë dhomë zhveshjeje keni edhe Ibrahimoviçin.

Çdo stërvitje u jep diçka shokëve të skuadrës. Ai është një njeri i madh, një shef i vërtetë dhe që urren të humbasë. Është diçka shumë e madhe të jesh në gjendje të luash me të. Është një nder i madh dhe më bën jashtëzakonisht krenar. Edhe si fëmijë e shikoja në TV dhe e admiroja. Më ka këshilluar edhe për grumbullimin tim në kombëtare. Më tha të isha i qetë sepse ky ishte vetëm fillimi.

Napoli është i pamundur të mbërrihet në kampionat, por ju do ta gjeni në Champions League në çerekfinale. Çfarë do të thotë kjo ndeshje?

Napoli po bën një sezon të mrekullueshëm në kampionat dhe në Champions League. Por le të shpresojmë që të përfundojë këtu mrekullia e tyre. Ne jemi Milani. Kushdo që e njeh traditën tonë, me shtatë trofe të Champions League, e di se kjo është shtëpia jonë.

Mbiemri juaj shqiptohet si “Ciao”. E patën më të lehtë italianët?

E prisja ta kishin, por edhe ata kanë problemet e tyre.

Mund të kishit luajtur për Finlandën dhe Senegalin, por zgjodhët Gjermaninë.

Nuk kam qenë i sigurt se do t’ia dilja, por gjithmonë kam menduar se kam cilësitë për të luajtur me Gjermaninë. Tani jam i lumtur që jam këtu dhe që shokët dhe trajneri Hansi Flik më kanë pritur kaq mirë.

Ëndrra për të ardhmen?

Ka shumë. Kampionati europian do të zhvillohet në Gjermani vitin e ardhshëm dhe unë dua ta fitoj në vendin tim. Pas kësaj dua shumë trofe të tjerë, çdo titull të shton urinë.

Related posts

FRIKË PËR YLLIN E MANCHESTER CITY/ Sulmohet pas një grabitje në shtëpi (FOTO)

Delo.autor

KËRKOJNË TA “BLINDOJNË” NË EKIP/ Ja kontrata “GALOPANTE” që “Djajtë e Kuq” i ofron për yllin Rashford

Delo.autor

E BUJSHME NGA ITALIA/ Në Itali zbulojnë të ardhmen e Strakoshës, brenda dy javësh do të…

Delo.autor

Leave a Comment