Futboll Sport

NGA REKORDET TEK E ARDHMJA/ Ibra skanon Milanin: Këta nuk e mbajnë dot presionin

Me 41 vite e 166 ditë mbi supe, Zlatan Ibrahimoviç theu rekordin e Alesandro Kostakurtës si golashënuesi më i moshuar në historinë e Serisë A. Goli ndaj Udinezes vlejti suedezit edhe për vendin e 21-të në historinë e golashënuesve më të mirë të kampionatit italian, ku u rikthye të shënonte 433 ditë nga hera e fundit (kundër Venecias më 9 janar 2022). Ndërkohë, falë aktivizimit si titullar në Udine, bëhet i treti lojtar më i madh se 41 vjeç që ia del të luajë në Serinë A pas Kostakurtës dhe Pietro Vierkovudit. Ibra, sidoqoftë, nuk i shijon rekordet kur ato nuk shoqërohen nga rezultati në fushë dhe këtë e dëshmoi edhe në intervistën e dhënë ditën e djeshme.

Si e shpjegoni këtë humbje të radhës?

Nuk ishte e lehtë, sepse Udineze është një ekip shumë fizik. I kishim sfiduar edhe më parë dhe e dinim se nuk ishte e lehtë. Nuk luajtëm në nivelin tonë dhe kur humbet ndeshjen nuk mund të thuash shumë, por gjatë javës bëmë gjithçka për të mos humbur.

Nga kjo situatë si dilet?

Duhet të punojmë, duhet të studiojmë çdo ndeshje që nuk shkon mirë. Ndeshja me Salernitanën nuk ka lidhje me atë ndaj Udinezes. Duhet të kemi besim dhe të besojmë në atë që bëjmë. Unë kam një përgjegjësi të madhe e duhet të ndihmoj shokët në çdo mënyrë. Mundohem t’u lehtësoj presionin sa më shumë, ashtu siç kam bërë që kur kam ardhur te Milani.

Me Leaon çfarë po ndodh?

Duhet mbajtur nën zjarr. Është çështje ekuilibri. Ai nuk duket i lumtur për momentin, por te Milani po bëjmë gjithçka për ta bërë ta lumtur. Pastaj ka shumë presion: flitet shumë më tepër për të dhe ka shumë presion. Rafa nuk është më pak i mirë se një vit më parë, është edhe më i fortë, por duhet të gjejë ekuilibrin dhe të bëjë më të mirën në çdo ndeshje.

Fakti që shënuat një tjetër rekord është sinjal i qëndrimi tuaj te Milani?

Nuk më nevojitej, më mirë të ndihem i ri. Bëj shaka, sepse në fakt jam krenar që u futa edhe më shumë në historinë e madhe të këtij klubi të madh, por goli nuk solli asnjë pikë. Për mua ishte edhe krenari që luajta si kapiten. Ndihesha mirë, pavarësisht se ishte hera e parë si titullar pas 14 muajsh.

Në një karrierë si e juaja paska ende vend për emocione atëherë?

Patjetër që po. Para ndeshjes, Benaseri, që duhej të ishte kapiten, erdhi në dhomën time dhe më kërkoi të mbaja shiritin. Pranova meqë do t’i shmangia disi presionin (qesh). Isha përgatitur mirë, por për fat të keq nuk shkoi siç donim.

Çfarë po i ndodh kësaj skuadre sipas jush?

Kur luan si kampion Italie përfaqëson shënjestër dhe stimul për rivalët. Sivjet çdo ndeshje ka presion të madh, çka është normale kur je në një klub si Milani. E patë si festonte Udinezja pas çdo goli, a thua kishin shënuar në një finale. Kjo është e pritshme kur i shënon kampionëve në fuqi. Sipas mendimit tim, ky ekip nuk ka përvojë për të luajtur si kampion Italie. Ky është edhe shkaku që po kemi kaq shumë ulje e ngritje. Nuk po arrijmë të ruajmë nivelin në çdo ndeshje e jo gjithmonë jemi në gjendje të japim maksimumin. Dhe ky që po them nuk është justifikim, por shpjegim i gjithë asaj që na ndodh.

Si e përjetoni Championsin si një lojtar jashtë liste?

Të gjithë duan të luajnë në Champions. Kur ishte koha për të dhënë listat nuk isha gati, e respektoj zgjedhjen dhe tani mund të përgatis në mënyrën më të mirë kolegët e mi në stërvitje. Kam besim tek ekipi, ata kanë bërë mirë deri tani dhe do të bëjnë mirë edhe kundër Napolit.

Si e gjykoni rrugëtimin e ekipeve italiane në Europë?

Shumë pozitiv. Ishim 7, tani jemi 6, dhe po flas si italian. Tri skuadra në Champions dhe të tjerët në Ligën e Europës dhe në atë të Konferencës. Është diçka pozitive, Seria A merr më shumë pikë. Për mendimin tim, kampionati po shkon mirë. Kur thanë se Seria A nuk është aq e mirë sa kampionati anglez dhe më pas Italia fitoi Kampionatin Europian, ata nuk folën shumë… Jam i lumtur për tri skuadrat italiane në Champions.

Nuk na thatë a do të vazhdoni karrierën te Milani…

Nëse do të jem mirë fizikisht do të vazhdoj. Ata që e lënë këtë sport ankohen se e kanë lënë. Nëse jam mirë, mund të bëj edhe më shumë. Pastaj kam vuajtur shumë në këto 14 muaj, dua të hakmerrem. Jam mirë te Milani, varet nga ata se çfarë kërkojnë, çfarë ideje ka klubi. Unë jam në dispozicion e nuk e kam me ngut.

Të paktën patët mundësi të godisni dy herë penalltinë.

Për mendimin tim, të parën e gjuajta mirë, më pas portieri bëri një pritje të mirë. Pastaj erdhi penalltia e dytë dhe mendova “Tani do të fus topin dhe portierin në portë” (qesh).

Related posts

Shokon futbollisti anglez/ I paguanim ”gjobën” shokut nëse shkonim me ish-të dashurën

Isa.Autor

Lushnja për rekord, 75 gola të pësuar në 33 javë

Sadik.Autor

REAL E HUMBI GARËN ME PSG PËR MBAPE/ Shuma e ofruar ishte më e madhe se ajo e ekipit francez por…

Isa.Autor

Leave a Comment