Futboll Sport

SHIFRAT/ Sulmi në krizë, Interi një muaj pa shënuar me aksion

Prej një muaji Interi nuk shënon më me aksion. Në pesë ndeshjet e fundit zyrtare mes kampionatit, Kupës së Italisë dhe Champions League.

Zikaltrit kanë shënuar vetëm dy gola, të dy nga pika e bardhë me anë të Romelu Lukakut (kundër Specias dhe kundër Juventusit), pa harruar edhe penalltinë e humbur të Lautaros kundër Specias. Këta numra, të cilëve u shtohet edhe pamundësia për të përmbysur rezultatin, kur kalojnë në disavantazh, janë treguesi më i mirë i krizës: tri humbje radhazi në kampionat, katër humbje në pesë javët e fundit.

RASTE TË KRIJUARA – Ende ngelet mister pse Interi nuk mund të shënoje duke ndërtuar, duke qenë që asgjë nuk ka ndryshuar në rastet e krijuara nga zikaltrit, përkundrazi. Ndaj Specias gjuajtjet drejt portës ishin 28, ndërsa ndaj Portos 5, duke treguar se problemi nuk është në krijimin e mundësive, por në konkretizimin e tyre. Për konfirmimin mjafton të shikohen pamjet e javës së shkuar, kur Mikhitarian e Lukaku gabonin pak metra larg portës.

LAUTARO DHE XHEKO – Është paradoksale që zikaltrit filluan të vuanin nga amnezia para portës pikërisht kur Lukaku u rikuperua nga një dëmtim i dyfishtë i rëndë në kofshë dhe shënoi 4 herë (3 nga penalltitë) në një muaj e gjysmë. Duke qenë se belgu nuk është ende në nivelet e 2020-2021, problemin kryesor tani e përfaqësojnë sulmuesit e tjerë, përfshirë Lautaron, i cili ishte ai që mbante peshën kryesore të sulmit në nisje të 2023-shit, me 9 gola të shënuar që nga 7 janari e deri më 5 mars. Pas Leçes ama (pikërisht më 5 mars), argjentinasi u ndal dhe tani ka 5 ndeshje pa e provuar gëzimin e golit. Pas Kupës së Botës në Doha, u mendua se “demi” kishte gjetur vazhdimësinë dhe po konfirmohej sulmues i madh, por në vend të kësaj po demonstron të kundërtën. Nga ana tjetër, shifrat e Xhekos dhe Korreas janë edhe më alarmante.

Boshnjaku, falë të cilit nuk u ndie mungesa e Lukakut në vjeshtë, e ka shkundur rrjetën që më 18 janar në Superkupë, pra thuajse tre muaj më parë. 37-vjeçari është gjithmonë një ndihmë e madhe për repartin duke qenë se jo pak herë tërhiqet dhe krijon hapësira për shokët e skuadrës, por padyshim që në fund të ditës ato që vlejnë për të dhe për rezultatet e Interit janë golat. Nga ana tjetër, Korrea nuk ka shënuar që nga 29 tetori kundër Sampdorias. I pamohueshëm është gjithashtu fakti që pavarësisht se përgjigjja e sulmit mungon, si mesfushorët dhe mbrojtësit, kanë bërë pak për të zgjidhur problemin e golit. Të mbërrijnë në Champions League pa e kthyer këtë trend negativ do të jetë e komplikuar dhe këtë e dinë si lojtarët dhe Inzagi. Muzika duhet të ndryshojë në Salerno, për të sjellë ndryshimin e ritmit edhe në Lisbonë, ndryshe është i madh rreziku për t’i vënë shkelmin një sezoni të tërë.

Related posts

PARTIZANI-TIRANA/ Pritet të luhet Derbi i Kryeqytetit, ja kush vendosi drejtësi në “Air Albania”…

Delo.autor

NGA KATARI TE E ARDHMJA/ Reja: Disa lojtarë të Superiore do t’i ftoj sërish, ju tregoj si kualifikohemi në eliminatoret e Europianit (E PLOTË)

F.autor

TOTTENHAM-INTER/ Shikoni klasin e Brozovic, tronditet shtylla e londinezëve (VIDEO)

Delo.autor

Leave a Comment