Luis Hamilton nuk kërkon të shfajësohet për paraqitjen në Arabinë Saudite, gara e pestë e zhvilluar me Ferrarin, të cilën piloti britanik e mbylli në vendin e shtatë. Një fillim sezoni me rezultate shumë larg pritshmërive për britanikun, të cilat janë gjithashtu inferiore edhe nga ato të shokut të skuadrës, Sharl Lëklerk.
Në një kohë kur monegasku i dha podiumin e parë sezonal Ferrarit, duke premtuar për ta ulur diferencën me rivalët, në anën tjetër të bokseve shtatë herë kampioni i botës është në vështirësi të mëdha në përshtatjen e tij me njëvendëshen SF-25.
Një moment kur jam ndjerë komod me makinën? Jo, nuk ka pasur për asnjë sekondë”, është shprehur Hamilton, një kritikë të cilën piloti duket se e ka më shumë me veten e tij sesa me skuadrën, siç ai e pranon edhe vetë:
“Nuk mund të fajësoj makinën, sepse Lëklerk me të njëjtën u rendit i treti”, thotë Hamilton. NË HIJE – Duket sikur kanë kaluar muaj nga fitorja që Hamilton arriti në Sprintin e Kinës, eventi i dytë sezonal i Botërorit. Piloti 40- vjeçar, pas garës në Arabinë Saudite, qëndroi deri në orët e vona të mbrëmjes në bokse, duke tentuar që të gjejë zgjidhje me skuadrën dhe inxhinierët në një të diel tepër zhgënjyese. Tashmë duket se po shuhet edhe entuziazmi dhe shpresa e fillimsezonit, gjë që u dallua edhe nga fjalët e vetë pilotit, i cili u shfaq i shqetësuar:
“Në garë provova gjithçka, por nuk arrita ta bëja makinën më të shpejtë. Nuk kisha qëndrueshmërinë e duhur dhe rrëshqisja kudo. Në pjesën e parë kisha shumë nën drejtim dhe degradim të lartë të gomave. Ndërsa në gjysmën e dytë bilancimi ishte më i mirë, por sërish nuk kisha shpejtësi”, shpjegon anglezi. E ARDHMJA – Po tani çfarë pritet të ndodhë? Drejtori i ekipit, Frederik Vasër, foli gjithashtu për vështirësitë e Hamiltonit, pasi ai ka probleme të konsiderueshme në përshtatjen me frenimin e Ferrarit.
“Unë do ta mbështes Luisin 2000%, do t’i jap të gjithë përkrahjen time. Do të fillojmë menjëherë që të kërkojmë zgjidhje të problemeve dhe të punojmë me të. Por, të them të drejtën, nuk jam shumë i shqetësuar, pasi mjafton të shikojmë atë që ka bërë në Kinë apo në Bahrejn. Potenciali është, duhet vetëm të rregullojmë balancimin, por jam i sigurt që do t’ia arrijmë”, tha Vasër. Shefi i Ferrarit është i bindur se Hamilton brenda pak garave do të arrijë që të gjejë përshtatjen e duhur me makinën:
“Jam i kënaqur që Luis nuk ndihet i lumtur me rezultatin e marrë në Arabi, pasi, nëse do të kënaqej me vendin e shtatë, nuk do të ishte normale. Ai është një pilot që kërkon maksimumin dhe tani duhet të punojmë të gjithë bashkë për të reaguar”. Duke lënë pas krahëve zhgënjimin, teksa sheh shokun e skuadrës që e shfrytëzon më mirë potencialin e Ferrarit, Luis Hamilton do të kërkojë kthesën, për të ndryshuar një kampionat që ka nisur në mënyrë aspak pozitive për të, por, nga ana tjetër, nuk ka shumë kohë në dispozicion, me 5 garat e para që tashmë kanë ikur.