Kombëtarja shqiptare e futbollit luan dy ndeshjet e radhës kualifikuese në qershor, të vlefshme për Grupin K në Kupën e Botës 2026. Më 7 qershor në “Arenën Kombëtare” vjen Serbia, ndërsa tre ditë më vonë tanët udhëtojnë për në Letoni.
Trajneri i tanëve, Sylvinho zbardhi listën me 27 emrat e ftuar, ndërsa në konferencën për mediet trajneri surprizoi jo pak. Braziliani, i pyetur për përballjen kundër Serbisë tha se lojtarët tanë janë nga çdo vend i botës, duke zbuluar se ai po ndjek edhe një futbollist në Argjentinë.
Bëhet fjalë për Tomas Guidara, 29-vjeçarin arbëresh që është pjesë e Huracan dhe më parë ka luajtur për Belgarno dhe Velez Sarsfield. I lindur në Cordoba më 13 mars 1996, mbrojtësi i djathtë ka nënshtetësi argjentinase dhe shqiptare; ndaj nuk do e kishte problem që të bashkohej me kuqezinjtë.Emri i tij është përfolur edhe më parë për të qenë pjesë e Kombëtares, pikërisht në kohën e Christian Panuccit. Këtë sezon ai ka luajtur në 18 takime dhe luan te Huracan si i huazuar nga Velez, ku ka kaluar gjashtë vitet e fundit.
Unë besoj që lojtarët më të mirë në qarkullim janë këta 27 që ne kemi përzgjedhur. Sigurisht që ne kemi parë edhe lojtarë të tjerë, kemi listë prej 15-20 lojtarësh që nuk janë grumbulluar, por i vëzhgojmë vazhdimisht. Por jam i kënaqur me ata që kemi grumbulluar”, tha mes të tjerash trajneri i Kombëtares.
Pas dy ndeshjeve të luajtura, Anglia me gjashtë pikë mban kreun e grupit, ndërsa Shqipëria dhe Letonia kanë nga tre pikë. Serbia me asnjë ndeshje të luajtur nuk ka pikë, ndërsa po me zero pikë është edhe Andorra që ka luajtur dy ndeshje.
