Emri i Mateo Retegui është rikthyer fuqishëm në radarët e Milanit. Sulmuesi italoargjentinas ishte ndjekur edhe verën e kaluar nga kuqezinjtë, përpara se të transferohej te Al-Qadsiah. Së fundmi, ai ka qenë një nga temat kryesore të diskutimit në takimin mes Igli Tare dhe Alesandro Moxhit.
Milani është ende në kërkim të një sulmuesi të mirëfilltë qendre, që mund të marrë rolin e lënë bosh nga Olivier Zhirud dhe të sjellë prezencë fizike, forcë në zonë dhe fleksibilitet taktik. Retegui konsiderohet një profil ideal për kërkesat aktuale të ekipit. Ai mund të luajë si pikë referimi në sulm në skema të ndryshme, si p.sh. 3-5-2, duke u tërhequr edhe më pas për të lidhur lojën dhe për të shfrytëzuar krosimet nga krahët. Gjithashtu, ai kombinon mirë me shokët e skuadrës dhe krijon hapësira për lojtarë si Rafael Leao, Kristian Pulisiç dhe Kristofer Nkunku.
Prania e tij do t’i jepte Milanit mundësinë të përdorë edhe skema me dy sulmues në faza të caktuara të ndeshjes. Nga ana teknike, cilësitë e Reteguit nuk vihen në diskutim. Megjithatë, problemi kryesor mbetet financiar. Për të pranuar ofertën në Arabinë Saudite, ai firmosi një kontratë prej rreth 20 milionë euro neto në sezon, shifër shumë mbi strukturën e pagave të Milanit.
Zgjidhja e vetme do të ishte një ristrukturim i plotë i kontratës, me një marrëveshje afatgjatë rreth 5 milionë euro në sezon plus bonuse. Pikërisht kjo mbetet sfida më e madhe për realizimin e këtij transferimi.
