Trajneri i Brazilit, Carlo Ancelotti, ka krahasuar dëshirën e madhe të brazilianëve për të fituar sërish Kupën e Botës me obsesionin që kishte Real Madridi për të fituar Champions League-n e dhjetë.
Në një intervistë për SportWeek, tekniku italian deklaroi:“Po, kjo është diçka që ndihet shumë këtu. Më duket sikur jam kthyer në vitin 2013, kur mbërrita te Real Madridi. Atje ekzistonte obsesioni për të fituar ‘La Décima’, trofeun e dhjetë të Champions League, që mungonte që nga viti 2002 dhe që arritëm ta fitonim në vitin 2014.”
Ancelotti pranoi se është befasuar nga dashuria dhe mbështetja që ka marrë nga tifozët brazilianë. “Nuk e prisja kaq shumë dashuri. Ndihem shumë i vlerësuar dhe kjo më jep një kënaqësi të jashtëzakonshme.” Trajneri italian tha gjithashtu se është përshtatur më shpejt sesa e kishte menduar me rolin e përzgjedhësit të kombëtares.“Edhe kjo ishte një surprizë. Nuk mendoja se do të ndihesha kaq mirë duke punuar si trajner i kombëtares, pa ritmin e përditshëm që kisha në klubet e mëparshme.”
Duke folur për futbollin brazilian, Ancelotti theksoi pasionin unik që ekziston në vend për këtë sport.“Kam punuar në shumë vende të Europës ku futbolli është shumë i dashur, por këtu është ndryshe. Askund tjetër nuk kam parë një dashuri kaq të pastër dhe të sinqertë për futbollin. Edhe pse lojtarët më të mirë largohen për të luajtur jashtë vendit, pasioni i brazilianëve mbetet i pandryshuar.” Brazili nuk e ka fituar Kupën e Botës që nga viti 2002 dhe objektivi i madh i Ancelottit është t’i rikthejë Seleçaos titullin e gjashtë botëror, një ëndërr që vazhdon të mbetet prioritet absolut për tifozët brazilianë.
