Dy ditë pas eliminimit nga Kupa e Botës “Rusi 2018, kombëtarja braziliane e futbollit është rikthyer në Rio De Zhaneiro. Por pritja për 5 herë kampionët e botës ka qenë e ftohtë, pasi në aeroportin e Rio De Zhaneiro kanë qenë vetëm 30 tifozë, që kanë përshëndetur e duartrokitur pjesën e mbetur të delegacionit. Vetëm 7 futbollistë nga 23 të tillë që ishin në Rusi janë rikthyer në vendlindje pranë familjeve të tyre, të shoqëruar nga trajneri Tite dhe disa drejtues të Federatës Braziliane të Futbollit.
Pjesa më e madhe e futbollistëve të kombëtares braziliane kanë ndaluar në Madrid, pas fluturimit që kombëtarja “Selecao” bëri nga Shën Petërburgu, duke vendosur të qëndrojnë në Europë. Mes 7 futbollistëve brazilianë që u rikthyen në vendlindje ishin Philippe Coutinho e Douglas Costa, të vetmit që ndaluan për t’u dhënë autografë tifozëve të paktë në aeroport, duke u duartrokitur së bashku me trajnerin Tite. Ky i fundit do të vendosë javën e ardhshme nëse do të vijojë detyrën e trajnerit.