Napoli I Maruizio Sarri-t sapo kishte regjistruar dy fitore 5-0 në harkun e tri ditëve në shtatorin e 2015-ës kur trajneri është pyetur në lidhje me Gonzalo Higuain. “Nëse përmirëson disa gjëra, mund të jetë I papërmbajtshëm”, ka thënë Sarri, gati duke parashikuar sezonin e jashtëzakonshëm që do të pasonte. Higuain, në fakt, realizoi 36 gola në 35 ndeshje nën drejtimin e Sarri-t, duke vendosur një rekord në kampionatin Italian. Një rekord që Cristiano Ronaldo do të kërkojë ta thyejë në këtë sezon.
Tre vite më pas, Higuain mund të bashkohet përsëri me ish-trajnerin e tij te Chelsea. Sarri do të përdorë fazën parapërgatitore për të parë nga afër Alvaro Morata, por Higuain, të cilin Juventus është gati ta lërë të lirë të largohet për 60 milionë euro, është në radarët e londinezëve. Një operacion që do të përmbante një rrezik. Argjentinasi 30-vjeçar, që në dhjetor mbush 31, do të luante për herë të parë në Premier League. Chelsea, nga ana tjetër, është i dëshpëruar të kthehet në Champions League dhe një sulmues me eksperiencë, të cilin e Sarri e njeh shumë mirë, mund të bënte diferencën.
Detyra kryesore e numrave 9 të Sarri-t është që të vihen në pozitat më të mira për të shënuar. Ata nuk duhet të tërhiqen shumë mbrapa dhe duhet të presin që të “ushqehen” nga shokët e sulmit. Te Napoli i tij ka patur shumë pasime të shkurtra dhe të shpejta me synimin për të krijuar raste për ata që nuk inë të gabojnë para portës. Ky ka qenë roli i Higuain në sezonin 2015-16. Skema 4-2-3-1 e Rafa Benitez nuk ka arritur të marrë më të mirën e tij në sezonet 2013-14 dhe 2014-15. Funksionoi, por jo dhe aq mirë. Ajo 4-3-3 e Sarri-t e ktheu atë në një sulmues rekordmen.
Pavarësisht se është 30 vjeç, Chelsea, me interesimin për Edin Dzeko janarin e kaluar, tregoi se është gati të bëjë disa lëshime për moshën e lojtarëve. Higuain konsiderohet akoma si një prej numrave 9 më të mirë të botës, një lojtar që nuk e ka bazuar lojën e tij te shpejtësia në Serinë A. ai ka pika të tjera të forta. Sezoni i kaluar ka qenë i pari në të cilin ish-ylli i Real Madrid nuk shënoi gol nga jashtë zonës së rreptësisë që nga 2010-11. Me kalimin e viteve, ashtu si pjesa më e madhe e sulmuesve, ai u përqendrua më shumë te loja brenda zonës së rreptësisë.
Një nga lojtarët që do ta furnizonte atë, të paktën kështu shpreson Chelsea, është Eden Hazard. Blerja e një lojtari si Higuain mund të jetë një mesazh për belgun. Para finales së Kupës së Anglisë, Hazard tha se klubi duhej të bënte disa blerje të rëndësishme që ta bindte atë të qëndronte. Jorginho ka qenë një fillim, edhe pse Chelsea ka mundur Manchester City-in për firmën e tij, dhe Higuain është një emër i rëndësishëm.
Sarri konsiderohet si një mjeshtër i taktikës për disa arsye. Një nga këto ka të bëjë me sezonin 2016/17, kur të gjithë prisnin që Napoli të dështonte pas largimit të Higuain. Ata realizuan 80 gola në sezonin 2015-16, me 36 prej tyre që erdhën nga Gonzalo. Në atë pasues, ata shënuan 94 pa Higuain. Sarri nxori më të mirën e lojtarëve që kishte në dispozicion. Kështu, nëse “Pipita” do të transferohet në “Stamford Bridge”, gjasat janë që tekniku italian të arrijë të marrë më të mirën nga sulmuesi argjentinas.
