Napoli i trajnerit Carlo Ancelotti do të presë në stadiumin “San Paolo” rivalët e Milanit, një ndeshje ku Hamsik me shokë do të kërkojnë suksesin e dytë në Serinë A, për të konfirmuar pretendimet e tyre për titullin kampion. Kapiteni i skuadrës napoletane shprehet se është gati për këtë duel dhe se 3 pikët janë alternativa e vetme për të konkurruar Juventusin. “Këto ndeshje në fillimin e kampionatit janë të rëndësishme, pasi luajmë një herë në javë dhe 3 pikët janë të domosdoshme. Do të ketë edhe periudha më të vështira, ku luhet çdo 3 ditë dhe mundësia për të gabuar është më e madhe”, tha Marek Hamsik.
Mesfushori sllovak shprehet se rivaliteti me Juven do të jetë i fortë deri në ndeshjen e fundit, ndaj kërkon fitoren sot ndaj kuqezinjve të Gattuso. “Këto sfida janë të vështira, Milan është ekip i madh. Përballë do të kem Pepe Reina, që këtu te Napoli ka lënë kujtime të mira. Është lojtar i zgjuar, një lider, një person i rëndësishëm”, tha Hamsik.
Duke kujtuar sfidat me Juven, lojtari sllovak shton se pikërisht ndaj bardhezinjve ka realizuar golin më të bukur të karrierës së tij. “Kur fituam Kupën e Italisë ndaj Juventusit, në vitin 2012. Një gëzim i pamasë, i papërshkrueshëm. Realizova një gol, që për mua është i paharrueshëm. I bukur është edhe goli ndaj Milanit, kur vrapova me top gjatë gjithë fushës”, u shpreh Hamsik.