Nuk kanë të mbaruar telashet për Arda Turan. Pas skualifikimit rekord me 16 ndeshje në kampionatin turk ku impenjohet me Basaksehir, ish mesfushori i Atletico Madrid dhe Barcelonës u përfshi në një skandal gjatë javës që lamë pas, tashmë të rejat rreth tij flasin se prokuroria e Stambollit ka nisur një hetim pikërisht për 31-vjeçarin pasi mbi të ka dyshime se është i lidhur me grupin gylenist që tentoi grushtin e shtetit në vitin 2016. Lojtari ka përfunduar në lupën e drejtësisë turke për lidhje hipotetike të tij me grupin islamist të Fethullah Gülen, i akuzuari kryesor për atentatin që iu bë qeverisë. Jo vetëm Arda Turan por tashmë hetimet kanë përfshirë edhe një tjetër lojtar dhe teknikun turk të Bursasporit, Bulent Korkmaz.
Sic raporton e përditshmja turke Hürriyet, prokuroria ka informacione se këta persona mund të kenë ofruar mbështetjen e tyre në organizimin e gylenistëve, lëvizje kjo që pas episodit të shënuar në 2016-ën ku u përfshi edhe ushtria turke, qeveria aktuale e ka kategorizuar si organizatë terroriste. Akuza të rënda që për Arda Turan vijnë në një moment vërtet të vështirë, duke kompromentuar edhe më shumë pozitat e tij. Në një moment aspak pozitiv të karrierës, e cila duhet thënë ka qënë në rënie lojtari i Istanbul Basaksehir rrezikon pikësëpari deri në 12 vite burg për konfliktimin e tij në një prej klubeve të natës me një këngëtar të njohur turk dhe tashmë duhet t’i bëjë llogaritë edhe me akuzat e reja që qeveria duket se po ngre kundrejt tij.