Pep Guardiola ngul këmbë se nuk është zhgënjyer nga dështimi i Manchester City për të blerë talentin holandez, De Jong, i cili vendosi të kalonte të Barcelona. Në të njëjtën kohë, ai paralajmëroi se kampionët e Premier League do ta kenë “pothuajse të pamundur” që të nënshkruajnë me lojtarët më të mirë të botës për një çmim, që ata e konsiderojnë të paarsyeshëm.
“Qytetarët” ishin në garë për të nënshkruar me De Jong, derisa Barça bëri një lëvizje të madhe financiare ditët e fundit, duke i paguar Ajax rreth 70 milionë euro për talentin e vet. Guardiola i kishte kërkuar klubit të vet që të ishte “më i shpejtë dhe më efikas” në përpjekjet për të shmangur Barcelonën dhe Real Madridin në merkato, një teme të cilës iu kthye të premten.
“Çmimet e transferimeve dhe pagat e lojtarëve janë rritur shumë, – tha katalanasi. – Pasi Neymar kaloi te PSG, gjithçka në këtë drejtim u rrit në nivele të pabesueshme. Për fat të keq, kjo është arsyeja pse kemi shpenzuar shumë për të ndryshuar ekipin (moshën mesatare).
Ne duhet të jemi më të shpejtë dhe më të mençur, të përpiqemi t’i blejmë herët lojtarët. Duhet të përshtatemi, edhe pse është e vështirë të blesh lojtarë të nivelit të lartë me një çmim të mirë, është pothuajse e pamundur. Ndoshta duhet të kemi besim te lojtarët e rinj dhe t’i ndihmojmë ata të zhvillojnë personalitetin e tyre këtu.
E kam thënë shumë herë, është e pamundur të luftojmë kundër Barcelonës dhe Real Madridit në merkato, edhe për prestigjin që kanë si klube. Lojtarët duhet të marrin vendimet e tyre, kur nuk duan të vijnë, kjo është për shkak se synojnë një vend tjetër. Ka mundësi të tjera dhe ne do të përpiqemi, nëse besojmë se kemi nevojë për lojtarë në atë pozicion.
Duhet të përpiqemi të ruajmë harmoninë në dhomën e zhveshjes me pagat. Kur nuk ke balancë në këtë drejtim, atëherë gjithmonë ka një problem me gjendjen shpirtërore të lojtarëve, të grupit. Një nga gjërat më të mira që ka bërë Manchester City është mbajtja e atij ekuilibri, por realiteti është se nuk janë vetëm një ose dy skuadra, që paguajnë shumë për pagat, ka shumë, shumë para në futboll.
Më parë flitej se vetëm PSG dhe Manchester City shpenzojnë pa limit, por kjo nuk është e vërtetë. Gjithkush mund të paguajë shumë para në merkato dhe për paga lojtarësh. Kjo nuk ndodh vetëm në Angli, por edhe në Itali, Spanjë, Francë; ndoshta jo në Gjermani. Ne si klub, nganjëherë nuk mund të konkurrojmë me këtë. Prandaj, duhet të jemi më të shpejtë, më efikasë dhe të mos bëhemi nervozë”.
