Emigrant i ri kërkon golin e jetës. Nuk është një lajmërim në gazetë dhe as titulli i një filmi. Është historia e Daniele Verde, produkt i sektorit të moshave të Romas, i cili tani luan në La Liga me Valladolid-in e Ronaldo-s.
Pas debutimit në kohën e Rudi Garcia-s, ai është larguar nga Trigoria dhe ka provuar disa eksperienca mes Serisë A dhe Serisë B. Më pas ka ardhur telefonata nga La Liga dhe Verde e ka patur të pamundur të refuzojë. Ai ka shënuar 5 gola në këtë sezon, 4 prej të cilëve në Kupën e Mbretit, dhe tani e ka radhën sfida në “Camp Nou” kundër Barcelona-s.
Një ëndërr e vërtetë për 22-vjeçarin, i cili ka dhënë një intervistë për “AS”. Një dashuri, ajo për Valladolid, që lind nga tërheqja e madhe e futbollistit për Spanjën që në fëmijëri. “Ndihem mirë këtu, jam si në shtëpi. Shpresoj që ta ushtrojnë të drejtën për të më blerë përfundimisht në fund të sezonit, sepse dua të qëndroj këtu. Më pëlqen si më trajtojnë njerëzit. Dhe kam dëshiruar gjithmonë të jetoj në Spanjë kur kam qenë fëmijë”.
Dhe kur ka qenë fëmijë ka mësuar bazat e futbollit në rrugët be Napoli-t. “Luanim gjithmonë në rrugë me topa prej letre. Të ndihmon të përmirësohesh teknikisht, sepse nuk ka rregulla”. Nga rruga… te Rambla (bulevardi i famshëm i Barcelonës), me Barçën që do të presë skuadrën e Fenomenit. Një ndeshje që ka një rëndësi të veçantë, sepse luhet kundër Messi-t dhe sepse “Camp Nou” është “Camp Nou”.
“Messi është Zoti i futbollit, nuk kam asgjë më shumë për të thënë në lidhje me këtë. Është idhulli i të gjithë fëmijëve që adhurojnë futbollin. Unë nuk kam luajtur kurrë në Cmp Nou dhe do të ishte një ëndërr e realizuar nëse do të shënoja aty. Nëse ndodh, betohem se do të bëj një tatuazh!”.
Barça duhet të bëjë kujdes, sepse goli i fundit që ka pësuar nga Valladolid ka qenë i një italiani. “Po, Fausto Rossi në 2014-ën, ma kanë thënë. Ajo ndeshje, gjithsesi, është luajtur në fushën tonë. Shpresojmë të bëjmë të njëjtën gjë”. Më pas, Verde duhet të vendosë se çfarë tatuazhi do të bëjë. Fanellën e Messi-t, ndoshta?
