Ish-lojtari i Real Madridit, Danilo, foli për “Daily Mirror” me rastin e ndeshjes së Ligës së Kampionëve, që do të luhet mes Manchester City dhe Schalke 04. Ai e vuri në dukje kompeticionin kryesor kontinental si objektivin kryesor të “qytetarëve” për këtë sezon. Braziliani, gjithashtu, krahasoi përvojat e tij me trajnerët Zinedine Zidane dhe Pep Guardiola, dy nga më të mirët në botë në këtë rol, për të cilët thotë se “është e pamundur të zgjedhësh njërin”.
Danilo është, së bashku me Bravo, i vetmi lojtar në skuadrën e Manchester City, që ka fituar Ligën e Kampionëve. Përvoja e tij mund të jetë një vlerë e shtuar për “qytetarët”, që ta fitojnë Champions-in. Guardiola ka pranuar kohët e fundit se arritja në gjysmëfinale të Champions-it do të ishte një rezultat i mirë këtë sezon, por Danilo siguron se të gjithë kanë synime më ambicioze se kaq: “Liga e Kampionëve është shumë interesante për ne. Kemi biseduar në lidhje me të, do të përpiqemi të bëjmë të papriturën. Të gjithë e dimë se nuk është një kompeticion i lehtë për t’u fituar, por kemi cilësi dhe mund të siguroj se do të bëjmë më të mirën”.
I pyetur se cili është më i mirë si trajner, Zidane apo Guardiola, me të cilët ka punuar, Danilo preferon të nxjerrë në pah virtytet më të mira të të dyve: “Ato janë shumë të ndryshëm. Së pari, janë dy nga trajnerët më të mirë dhe është e pamundur për t’i krahasuar ato. Jam shumë i lumtur që kam pasur mundësi të punoj me ta. Vëmendja deri në detajet më të vogla të Guardiolës është e paarritshme, por edhe çfarë ka arritur Zidane me Real Madridin është e mahnitshme. Kësisoji, për mua është shumë e vështirë të them se njëri është më i mirë apo jo. Jam po aq i lumtur, që punoj me Guardiola, sikur isha me Zidane në të kaluarën”.
Sa për La Liga-n dhe Premier League, braziliani ka shpjeguar, sipas mendimit të tij, atë që me të vërtetë i dallon nga njëra-tjetra: “Loja në Angli është më e ashpër dhe në qoftë se mund të them, më shumë taktike. Me këtë dua të them se të gjitha ekipet përpiqen t’i fitojnë ndeshjet, pavarësisht nga pozita e tyre në klasifikim. Kështu, me gjithë respektin, Premier League është shumë ndryshe nga kampionati spanjoll. Pavarësisht dallimeve, janë dy ligat më të mira në botë, për mua”.