Gossip

TREKËNDËSHI ICARDI,WANDA DHE LOPEZ/ Një telenovelë latine me futbollin në horizont

Nuk ka javë që Mauro Icardi të mos jetë në qendër të vëmendjes. Natyrisht, pikësëpari për shkak të aftësive të tij si futbollist, sepse bëhet fjalë për një lojtar që ka shënuar mbi 100 gola në Serinë A, në 6 sezone me fanellën e Interit.

Ndonëse asnjëherë nuk ka dalë hapur për të kërkuar largimin, Icardi është përfshirë shpesh në mosmarrëveshje dhe tensione me klubin, mbi të gjitha për faj të bashkëshortes së tij Wanda Nara, e cila është njëkohësisht edhe agjente e tij.

Bukuroshja 32-vjeçare është protagoniste e madhe e gjithçkaje që shkruhet e raportohet rreth Icardit, kur nuk bëhet fjalë për 90 minutat në fushën e blertë. Historia Icardi-Wanda ka nisur shumë vite më parë dhe është një telenovelë e vërtetë latine, me sulmuesin 34-vjeçar Maxi Lopez protagonist fatkeq, sepse Wanda Nara ishte e martuar me të, para se ta linte për Icardin, 8 vite më i ri se Lopez.

Ja një përmbledhje e karrierës së Icardit dhe telenovelës më absurde të futbollit italian në dekadën e fundit   …

TRANSFERIMI NË ITALI – I lindur në Rosario, Icardi u tansferua në Spanjë, në Ishujt Kanarie, në moshën 9-vjeçare. Në vitin 2007 Barcelona fitoi një ankand gjigant dhe firmosi me Icardin deri në 2013. Në vitin 2011 sulmuesi shkoi te Sampdoria në huazim, vendim për të cilin më pas Icardi deklaroi se ishte penduar. Në 6 muaj te Samp Icardi shkëlqeu, me 13 gola në 19 ndeshje tek të rinjtë, ndaj Samp e bleu për 400.000 euro, duke firmosur kontratë 3-vjeçare. Në sezonin 2011/12 Icardi shënoi 19 gola me të rinjtë dhe në 12 maj 2012 debutoi në ekipin e parë, duke shënuar 10 minuta pas hyrjes në fushë. Në 26 shtator 2012 erdhi debutimi në Serinë A dhe në 12 nëntor erdhi goli i parë në Serinë A, në një derbi të fituar 3-1 ndaj Genoa-s.

Në sezonin 2012/13 Icardi kishte në ekip një tjetër argjentinas, sulmuesin Maxi Lopez, me të cilin krijoi shumë miqësi dhe duke qenë thuajse fëmijë, Maxi Lopez e merrte shpesh në shtëpinë e tij. Që aty, nisi telenovela e famshme me shumë seri, Wanda-Icardi-Lopez, sepse bashkëshortja seksi e Lopez filloi të tërhiqej nga Icardi.

KALIMI TEK INTERI DHE SKANDALI ME WANDA NARA – Paraqitjet fantastike te Samp bënë që Icardi të piketohej nga Interi, që e bleu për vetëm 6.5 milionë euro në verën e vitit 2013. Në dimër 2013 plasi skandali Icardi-Wanda Nara, sepse mediat në Itali zbuluan marrëdhënien sekrete të të dyve. Wanda Nara u divorcua nga Maxi Lopez, Icardi shpallte dashurinë me të nëpër rrjetet sociale, mediat ndërtuan një rrjetë merimange rreth lidhjes së tyre dhe nuk është marrë vesh kurrë se kur nisi lidhja, para divorcit Wanda-Lopez, apo më vonë.

PRILL 2004, DERBI “WANDA” – Nga miq të mirë, Icardi e Maxi Lopez u kthen në armiq të betuar, ashtu si pritej. Ndeshjet mes Interit e Sampdorias u transformuan në “Derbi Wanda”, sepse Lopez refuzonte t’i jepte dorën Icardit para ndeshjes. Pas plasjes së skandalit, Lopez kërkoi publikisht që të mos postoheshin fotot e 3 fëmijëve të tij (që i kishte marrë me vete Wanda Nara) në rrjetet sociale, por në prag të përballjes së parë mes tyre Icardi postoi foto, duke acaruar ndjeshëm situatën. Në ndeshje Icardi shënoi gol, tifozët e fishkëllenin ndërsa Maxi Lopez humbi penalltinë që mund të vlente barazimin. Interi fitoi 4-0 dhe Icardi shënoi 2 gola.

Dy vite më vonë Icardi foli për telenovelën me Wanda Nara dhe Lopez: “Të gjithë flasin pa qenë të informuar. Unë isha mik i çiftit, gjithçka ishte normale. Më vonë Wanda u nda nga Lopez dhe i ruajtëm kontaktet, ndërsa gjithçka ndodhi në mënyrë natyrore, rashë në dashuri. Lopez nuk ishte mik i ngushtë i imi, absolutisht jo. Ishim kolegë te Samp, asgjë më shumë”.

SHKURT 2015, SHERR ME TIFOZËT – Roberto Mancini dështoi në aventurën e tij të dytë zikaltër dhe në sezonin 2024/15 Interi e mbylli në vendin e tetë, 14 pikë larg vendit të katërt. Një humbje 3-1 ndaj Sassuolo-s në shkurt bëri që të mbushej kupa dhe tifozët iu kthyen kundër ekipit. Icardi shkoi t’u jepte fanellën pas ndeshjes, por një nga ultrasit e mori dhe ia hodhi në fushë. Ai gjest e tërboi Icardin, i cili reagoi shumë ashpër dhe u bë armik me ultrasit, edhe pse kapiten në moshën 22-vjeçare.

TETOR 2016, AUTOBIOGRAFIA E FAMSHME – Tensioni me tifozët ishte zbutur me kalimin e muajve, por zjarri u ndez sërish kur Icardi publikoi autobiografinë e vet Sempre Avanti (Gjithnjë përpara). Duke kujtuar incidentin ndaj Sassuolos, Icardi shkruante: “Është e turpshme që një kapoultras i shkoi kërcënueshëm fëmijës të cilit i hodha fanellën, ia rrëmbeu nga duart dhe ma hodhi mbrapshti pështirosur. Në atë moment më iku mendja, do doja ta godisja me grusht për atë gjest bastard që kreu. Nisa ta ofendoj: ‘Copë m**i, hiqesh si i fortë me një fëmijë, për t’u dukur para tifozëve. Duhet të të vijë turp, të gjithë juve duhet t’u vijë turp!’. Pas këtyre fjalëve ia vërvita fanellën turinjve. Në atë moment, plasi rrëmuja dhe dukej sikur erdhi fundi i botës”.

Nuk mbaroi me aq, sepse Icardi më pas sfidonte ultrasit: “Jam gati të përballem me ta, tek e tek. Ndoshta ata nuk e dinë që jam rritur në një ndër lagjet më të frikshme të Amerikës së Jugut, ku njerëzit vriten rrugëve. Sa janë, 50? 100? 200? OK, mesazhi im për ta është ky: Do të sjell 100 kriminelë nga Argjentina dhe do t’i heq qafe”.

Natyrisht, plasi skandali i ri dhe Icardi u detyrua të bënte një hap pas, duke kërkuar falje, ndërsa frazat e mësipërme u zhdukën nga libri, që nuk ishte publikuar ende.

SHKURT 2019, SHIRITI I KAPITENIT – Për muaj të tërë Wanda Nara fliste në media, provokonte, paralajmëronte largim të Icardit nga Interi për shkak të ofertës së ulët për kontratën e re, ndërsa Icardi nuk ndihej. Ngacmimet në rrjetet sociale, intervistat, mesazhet në kod, të gjitha shkatërruan nervat e drejtuesve të Interit, që nuk dinin ç’të bënin me agjenten e Icardit, ndërsa vetë sulmuesi nuk mori asnjë masë, edhe kur dolën thashetheme se Wanda Nara kishte një marrëdhënie të fshehtë me Brozovic.

Interi i kërkoi kapitenit të ndryshonte agjent, sepse ishte e pamundur që të vijonte bisedimet me Wandan, në një kohë që kjo e fundit akuzohej edhe nga motra e Icardit se e kishte helmuar zemrën e bashkëshortit të saj. Lufta në rrjetet sociale u ndez keq, ndërsa Interi e humbi durimin: Icardi nuk është më kapiten prej fillimisht të shkurtit, vendim i përbashkët i trajnerit Spalletti me drejtuesit. Që atehërë Icardi refuzoi të luante për Interin dhe tashmë është zyrtarisht i dëmtuar.

Icardi është baba i dy fëmijëve, së bashku me Wanda-n po rrit edhe 3 fëmijët e Maxi Lopez, i cili ditët e fundit me hidhërim deklaroi: “Icardi meriton një agjent më të mirë, por sjellja e tij është përkeqësuar. Wanda dëshironte të bëhej edhe agjentja ime kur ishim të martuar, por refuzova, sepse nuk doja të shkatërroja familjen, duke përzier punën me jetën private. I kam takuar fëmijët e mi për herë të fundit në dhjetor. Para pak ditësh një prej fëmijëve të mi kishte ditëlindjen, Mauro Icardi mbylli telefonin dhe nuk më lejoi të flisja me djalin. I shkrova që do ta kuptonte peshën e atij veprimi në të ardhmen”.

Lajme të tjera

Related posts

FOTO/ Ambra Vitiello, opinionistja sportive që po ‘çmend’ rrjetin

Q.Autor

“Kosh” jashtë parketit, një fizioterapiste seksi për basketbollistin e KOMBËTARES

Sadik.Autor

Wanda Nara shkëlqen në “San Siro”, ja si duket e veshur bardhezi (FOTO)

Isa.Autor

Leave a Comment