Presidenti i Skënderbeut, Ardian Takaj, ishte ditën e sotme mes të pranishmëve në tryezën e organizuar nga FSHF me Qeverinë shqiptare, për problematikat e futbollit në Shqipëri.
Në momentet e fundit të takimit, Takaj iu adresua kryeministrit Rama, se do ishte mirë të tregonte një datë se kur do ishin gati këto ndryshime. Ndërkohë, kreu i qeverisë nuk mund t’i linte batutat, dhe i tha se meqë është i mirë me kalkulimet, të bënte një llogari se sa i binte 100 ditë, pas ditës së zgjedhjeve.
DEBATI I PLOTË
TAKAJ: Futbolli shqiptar është në krizë shumë të madhe financiare. Nëse nuk do të ishte, sot do shihnim shumë fytyra të reja këtu. Unë do doja një datë që të jetë e arsyeshme dhe si ta mendoni ju që të flasim tamam për futbollin.
RAMA: Këta duan datë edhe pas vitit të Skënderbeut. 550 vjetorin e kaluan, duan sërish datë.
TAKAJ: Këtu flasim të gjithë bukur, dhe e kalojmë këtë temë…
RAMA: Ndryshimet në Kodin Penal, do i bëjmë më shpejt. Për këtë, do bëjmë thellim të atyre pikave që unë ngrita këtu. Do marrim edhe shëmbuj të tjerë, por unë besoj që modeli anglez është i duhur, kundër dhunës dhe huliganizmit. Besoj se do ta kalojmë shpejt. Brenda 100 ditëve, tani datën…
TAKAJ: Është shumë elektoral ky 100 ditëshi. Na jep një datë në avancë, se këto 100 ditët…
RAMA: Ti je kalkulator i mirë dhe përcaktoje vetë, nga sot 100 ditë. 20 qershor i bie. Paradite kemi fituar zgjedhjet dhe pasdite do të vijmë këtu për të bërë të gjitha paraqitjet.