N’Golo Kante (28 vjeç) është një nga mesfushorët më të mirë në botë dhe disa klube të mëdha janë të interesuar për të, si PSG dhe Juventusi. Futbollisti i Chelsea është tani për tani i angazhuar me ekipin kombëtar të Francës, në kuadrin e eliminatoreve të “Euro 2020”. Megjithatë, flitet se lojtari në fjalë pëlqehet shumë edhe nga Real Madridi.
Kur kanali televiziv francez “M6” e pyeti për interesin e ekipit të drejtuar nga Zinedine Zidane, mesfushori tha: “Sot jam pjesë e Chelsea dhe ajo që thuhet kudo tjetër nuk është me rëndësi. Edhe nëse Zidane më thërret, më do në Madrid, kjo nuk më intereson, nuk është e rëndësishme. Jam te Chelsea dhe po fokusohem vetëm te kjo skuadër“.
Lojtari francez ka një kontratë me klubin e Londrës deri në vitin 2023. Këtë sezon, ai është spostuar disi në fushë, në një rol të ri, nga ardhja e Jorginho. Këtë të fundit e solli Maurizio Sarri nga Napoli dhe shërben si pikë referimi në lojën e bluve të Londrës, nën drejtimin e trajnerit italian.