Real Madrid ka 300 milionë euro gati për të nënshkruar me Neymar, yllin brazilian të PSG-së. Florentino Perez, presidenti i “Los Blancos”, ka nisur tashmë një revolucion në ekipin që financon, në mënyrë që të rinovojë grupin e lojtarëve në merkaton e verës së ardhshme. Dështimi i Real Madridit në këtë sezon e detyron atë të bëjë një rinovim të plotë dhe Neymar është qëllimi numër një. Siç është raportuar të premten nga gazeta “Marca” në faqen e parë, Real Madridi do të hyjë fuqishëm në merkato, me arkat financiare të klubit në kushte të mira. “Një revolucion 300 milionësh” është titulli në kopertinën e “Marca”, e cila shton se “Real Madridi nuk ka probleme likuiditeti për rinovimin. Arkat e klubit janë më shumë se të mbushura”.
Nënshkrimi i Neymar është një prioritet për Florentino Perez, ndërkohë që Cristiano Ronaldo duket të jetë i përjashtuar tërësisht nga projekti i ri. Kjo është arsyeja pse 300 milionët që Real Madridi ka në dorë për të nënshkruar me Neymar, duhet të shtohen edhe me përfitimet që mund të rrjedhin nga shitjet e lojtarëve aktualë madrilenë. Megjithatë, duhet të kujtojmë se PSG-ja është e qetë dhe e di se një shkëmbim mes Cristiano Ronaldos dhe Neymar është e pamundur tani për tani.