E ardhmja te Juventusi, mënyra e tij e të luajturit futboll, që jo të gjithëve iu pëlqen… Massimiliano Allegri dha një intervistë për “Il Corriere della Sera”, duke shpjeguar idetë e tij mbi sportin më magjik në botë, ku po fiton shumë.
Libri i tij titullohet “Është shumë e thjeshtë”, pak si mënyra e tij për të qenë trajner, edhe pse shpesh i kritikuar. “Unë nuk e kam atë titull për askënd, vetëm them se e bëjmë të komplikuar atë që është e thjeshtë. Thjeshtësia është gjëja më e komplikuar, disa kanë mënyra të ndryshme për ta parë këtë.
Një trajner i “biznesit” është ai që merr rezultate. Mos harroni se drejtoj Juventusin, klub i cili, në fund të sezonit, duhet të flasë me rezultate dhe trofe. Të tjerat nuk vlejnë”, – nënvizon trajneri bardhezi.
Në Itali është bërë e pamundur për të pasur një trajner me stilin e Fergusonit (për nga jetëgjatësia në një klub), por Allegri synon të jetë ai, me ngjyrat bardhezi:
“Shpresoj të bëhem unë kështu, të qëndroj kaq shumë vite te Juve. Jam “student” i Galeone, ai ishte trajneri im. Pastaj kam qenë me fat që të punojmë së bashku, si bashkëpunëtorë teknikë, duke mësuar kaq shumë gjëra. Nevojitet thjeshtësi në përcjelljen e koncepteve tek ekipi”.
Duke folur për thjeshtësinë, Cristiano Ronaldo është ai, që i bën të thjeshta edhe gjërat më të vështira: “Unë i jap lojtarit atë që i duhet, jo atë që dëshiron. Ronaldo është ndryshe nga të tjerët, është një mjeshtër”.