Naser Aliji është shumë pranë rikthimit në Superligën zvicerane, pasi ka vendosur të mos rinovojë kontratën me Dinamon e Bukureshtit, duke refuzuar marrëveshjen e re që i kanë ofruar drejtuesit e klubit rumun.
Mbrojtësi i Kombëtares nuk ndihet rehat në Rumani dhe pavarësisht se zhvilloi një gjysmë sezoni pozitiv me Dinamon, ka vendosur të largohet.
Kështu bën me dije media rumune “digisport.ro”, duke zbuluar dëshirën e anësorit shqiptar.
Po kështu, hidhet dritë edhe mbi të ardhmen e lojtarit tonë të Kombëtares, i cili preferon ta vazhdojë karrierën në Zvicër, për të qenë më afër familjes.
Naser Aliji luajti 16 ndeshje në fanellën e Dinamos dhe paraqitjet e tij u vlerësuan pozitivisht.
25-vjeçari arriti në Bukuresht në nëntor 2018, kur Dinamo u eliminua nga Kupa e Rumanisë.
Në karrierën e tij, Aliji ka luajtur për Aargau U-16; FC Basel U-16, U-18 dhe U-21, FC Basel, Kaiserslautern dhe Virtus Entella.
500 mijë euro është çmimi në tregun e futbollit për Naser Aliji, sipas “Transfermarkt”.