Pas mbylljes së goditjeve të fundit të merkatos, Premier Liga rinis sot me ndeshjen e parë, ku në orën 21:00 në “Anfield” nënkampioni Liverpool do të presë Norwich-in.
Nesër do të jetë radha e Manchester Cityt, kampiones në fuqi, që do të udhëtojë drejt Londrës për t’u ndeshur me West Ham.
Parashikimet në Premierligë flasin për një përsëritje të garës së sezonit të shkuar, me Cityn e Guardiolës ndaj “reds”-ave të Klopit.
Por Arsenali dhe Tottenhami investuan seriozisht në merkato për të ngushtuar diferencat me dy favoritet.
Pastaj Manchester United, numri 1 në shpenzimet e kësaj vere dhe Chelsea, skuadra që nuk bëri dot blerje për shkak të embargos nga FIFA.
Përsa i përket Liverpoolit, që do ngrejë sonte në mbrëmje siparin, lajmi i mirë për Klopin është rikthimi në dispozicion i sulmuesit Sadio Mane.
Senegalezi u rikthye në “Melwood” vetëm ditën e hënë pas dy javëve pushim prej Kupës së Afrikës dhe pasi regjistroi 115 ndeshje në dy sezonet e fundit.
“Pas dy javëve pushim është gati”, konfirmoi tekniku gjerman. “Tani nisim ritmin tonë normal. Ne duhet të qëndrojmë ajo skuadra që askush nuk na do përballë për shkak të intensitetit”, deklaroi tekniku i Liverpoolit.
