Në fund të ndeshjes miqësore me Bylisin, trajneri i Skënderbeut, Ilir Daja, tha se skuadra e tij nuk është ende gati, as në aspektin fizik dhe as në aspektin tekniko-taktik.
“Kjo ishte një ndeshje për të parë kondicionin fizik të lojtarëve, pasi për sa i përket aspektit tekniko-taktik, nuk kisha të tjera pritshmëri, sepse vetëm tri ditë kam bërë stërvitje me grupin.
Kjo sfidë shërbeu shumë për lojtarët e rinj, pasi sikurse konstatuat edhe ju, disa prej lojtarëve tanë kryesorë nuk u aktivizuan (u referohet Koliqit, Muzakës dhe Jashanicës).
Nga ana taktike nuk prisja më shumë, ndërkohë që në aspektin fizik lojtarët janë të ngarkuar maksimalisht, por nuk janë në formën e tyre më të mirë.
Kemi kohë mjaftueshëm përpara për t’u përgatitur ashtu si duhet dhe deri në startin e kampionatit jemi të bindur se do të jemi gati. Ndeshja e parë përballë Flamurtarit? Nuk do doja të ishte Flamurtari, por gjithsesi fakti që luajmë në shtëpinë tonë është shumë pozitiv”, u shpreh ai pas ndeshjes.