Çfarë merkatoje do të jetë pas pandemisë? Cilët lojtarë vërtet do të lëvizin? Virusi ka larguar të gjitha siguritë. Por një pyetjeje megjithatë mund t’i përgjigjemi që tani: Në Serinë A do të jetë sërish “luftë” Juve-Inter. Është fatal fakti që dy klubet përballen thuajse në të gjitha terrenet e merkatos, qofshin këta objektivë realë apo thjesht aksione shqetësimi.
Ka qenë kështu për Dejan Kulusevskin, e njëjta gjë vlen edhe për situatën e Kiezës. Ndaj nuk është për t’u befasuar nëse në listat (disi sekrete) të dy klubeve të ndodhet një fashikull me inicialet “PP” ose më saktë inicialet e Pol Pogbasë. Francezi nuk ka dalë kurrë vërtet nga radarët e bardhezinjve. Po nëse lëvizjen ta bënte Interi? E nëse Antonio Konte do të mundte të plotësonte dëshirën e transferimit në Milano të një “krijese” të tijën me të cilin ka fituar dy tituj?
VARIABLA – Skuadra zikaltër ka nevojë për një goditje në mesfushë. E ka vendosur në listë, nuk mjaftoi Eriksen dhe nuk mjaftojnë Sensi e Barela për të siguruar Konten në atë repart. Nevojitet një lojtar, mundësisht fizik, që të garantojë një cilësi të mirë golash me inkursionet e tij. Pra, kampioni i botës në fuqi është profili teknik ideal. Le të kuptohemi: mbetet një ëndërr (dhe shpesh këto edhe realizohen) e mbyllur në një sirtar në zyrat e Interit.
Nuk është hapur ende, as nga Marota, që Pogbanë e transferoi me kosto zero nga Mançester Junajtid te Juventusi verën e vitit 2012. Ndërsa sot problem mbetet çështja e pagës. Pogba përfiton te “Djajtë e kuq” 15 milionë stërlina në sezon, rreth 17 milionë euro. Jashtë mundësive për arkat zikaltër, po. Megjithatë, në lojë janë edhe disa variabla. Së pari: Pol ka një kontratë që i skadon në 2021-shin. Së dyti: dekreti i rritjes favorizon transferimin në Itali të të huajve.
Së treti: Stiven Zhang, i cili përjeton jo mirë faktin që është larg Juventusit. Se sa do të ndikojnë, mbetet për t’u parë. E sigurt është që vështirësia e Interit në një negociatë të mundshme është gjetja e një akordi ekonomik me Junajtid: zikaltrit, në të kundërt të Juventusit, nuk kanë lojtarë “europianë” ose më saktë të mirënjohur në fushën ndërkombëtare, për t’i vendosur në pjatë si shkëmbim.
STRATEGJI – Megjithatë, nuk mund të hidhet poshtë gjithçka. Merkatoja e ardhshme me siguri do të ketë volume dhe shifra më të ulëta. E ndoshta zërin do ta ngrejë kush do të ketë arkëtime më të larta nga shitjet potenciale. Interi ka një seri dosjesh të hapura, në këtë kuptim. Është ajo e Ikardit, për të cilin Marota shpreson që të përmbyllet me sukses blerja nga PSG. Më pas diskutimi për Perisiçin, ende i lidhur me Bajernin.
Pa harruar Vesinon, tjetër element me vendin jo të sigurt në skuadër për të cilin është interesuar Evertoni. Janë këta që mbajnë “peng” nisjen e mundshme të bisedimeve për Pogbanë. Megjithatë, në Milanon zikaltër e dinë që i kanë në rregull të gjitha së paku për t’u përpjekur të transferojnë “Oktapodin” Pol nën urdhrat e Kontes.