Pol Pogba është shumë pranë rikthimit te skuadra e Juventusit. “Zonja e Vjetër” dhe bardhezinjtë janë duke biseduar për të arritur një marrëveshje, në të cilën do të përfshihet edhe kalimi i Rabiosë në Mançester. Junajtid e di shumë mirë që duhet ta largojë Pogbanë në fundin e këtij sezoni sepse rrezikon që ta humbasë me kosto zero në vitin e ardhshëm. Kampionit të botës i përfundon kontrata dhe e mira është që të largohet tani. Përfshirja e Rabiosë në këtë marrëveshje është diçka që i intereson edhe Mançester Junajtidit dhe kjo gjë mund të shërbejë si një pikënisje për bisedimet mes palëve.
Pogba u transferua te Junajtid në vitin 2016 për 89 milionë paund, pikërisht nga Juventusi. Bardhezinjtë e kishin marrë nga të rinjtë dhe ai arriti të shkëlqente në Serinë A. Por, “Djajtë” kanë transferuar këtë sezon Bruno Fernandeshin dhe kjo gjë e detyron Solskjaerin që të largojë mesfushorin problematik dhe të mos e konsiderojë si të paprekshëm. “L’Equipe” raporton se Juventusi është shumë pranë arritjes së marrëveshjes për Pogbanë. Nga ana tjetër, nëna-agjente e Rabiosë, Veronika, është duke bërë gjithçka që djali i saj të luajë në Premier Ligë. Pas transferimit nga PSG-ja drejt Juventusit në verën e kaluar, dëshiron një tjetër aventurë, sepse nuk ka bindur aspak. Ai ka luajtur 24 ndeshje në këtë sezon, por ishte shumë larg pritshmërive.
Trajneri i Junajtidit, Solskjaer e vlerëson shumë si lojtar dhe mendon ta rikthejë sërish në nivele të larta. Duke parë krizën që kanë dy ekipet për shkak të Koronavirusit, shkëmbimi i lojtarëve është diçka që do të shihet shpesh në këtë
merkato.
Megjithatë, mediat nuk e raportojnë faktin se sa milionë do të paguajë Juventusi, përveç kartonit të Rabiosë për të rikthyer sërish Pol Pogbanë në Torino.
