Futboll Seria A Sport

ANALIZA/ Kriza pa fund e Milanit, ja shkaqet dhe rrugëdalja

Rënia e Milanit me 3 për qind në vlerë për katër vite ishte një rezultat i pritshëm edhe përpara analizës së KPMG, të publikuar një ditë më parë. Rënia financiare, në fakt, ka nisur shumë kohë më parë dhe nuk mund të fajësohet vetëm fondi “Elliott”.

Një skuadër që nuk kualifikohet në Champions prej 6 vitesh, e ka jetën të vështirë, duke nisur që nga sponsorët. Për të parë një Milan më të dobët se ky aktual duhet të kridhemi 30 vite pas në kohë, por nga diku duhet nisur rruga dhe kuqezinjtë kanë identifikuar 2021-’21 si viti 0.

RINISJA – Përveç një shoqërie që nuk prodhon thuajse asgjë, “Elliott” ka në duar edhe bilance të frikshme që vijnë si pasojë e disa operacioneve të gabuara apo rrogave të majme si ato të Donarumave me dy vëllezërit që kushtojnë 14 milionë euro në vit (përfshirë taksat). Duke lënë mënjanë faktin që Antonio Donaruma është vetëm portieri i tretë e nuk luan thuajse kurrë, në arkat e “Djallit” peshojnë 45 milionë eurot e paguara për Paketan dhe Piontekun që ekipin e shkundi vetëm për pak muaj.

milan

Në momentin e parë këto dy investime nuk ishin edhe fort të gabuara pasi Gatuzo për pak e riktheu skuadrën në Champions, por teksa polaku u shit pa rënduar financat, Paketa vazhdon të jetë një mister nëpër “Milanello”. Në anën tjetër është joshja e Milanit.

Emri i shtatë herë kampionëve të Europës nuk tërheq si dikur dhe kjo është pasojë normale kur nuk fiton asgjë. Problem janë edhe dështimet kuqezi në fushë, e ndërkohë që klubi nuk arkëton, edhe mundësitë për të investuar reduktohen, çka rrit bindjen se moti për milanistët parashikohet të jetë shumë i errët.

ZOTËSI APO JO – “Nën menaxhimin tim Milani rrit me 20 milionë euro fitime krahasuar me një vit më parë (2016-’17). Minus 126 milionë eurot që sinjalizon klubi përfshijnë edhe 45 milionë euro shpenzime të jashtëzakonshme të cilat janë në ngarkim të fondit ‘Elliot’”. Me këto fjalë u shpreh Marko Fasone, për “Il Sole 24 ore”.

Ish-administratori i Milanit në bashkëpunim me Mirabelin zhvilluan një merkato prej rreth 240 milionë eurosh, por lojtarët që u afruan, rezultuan pak të përshtatshëm për kuqezinjtë ose aventureskë si në rastin e Bonuçit. Edhe sponsorët nuk pranojnë të paguajnë më si më parë, por nëse me “Emirates” marrëveshja u shpëtua duke përfshirë klauzola bonusesh, largimi i “Adidas” mund të konsiderohet me plot gojën një dështim menaxherial i paprecedentë.

EKIPI SI EPIQENDËR – Nga klubi më i titulluar, “Djalli” u kthye në atë më të diskretituar në pak kohë. Në Londër, ku është edhe shtabi i përgjithshëm i fondit “Elliott”, nuk thuhet të ketë shumë shqetësim për situatën.

milan

Amerikanët e dinin që në fillim se trashëgimia e Berluskonit ishte e rëndë, aq më tepër për një klub të rënduar nga dy vite kinezërirash, ndaj, kanë zgjedhur rrugën e “hap pas hapit”. Kjo mënyrë pune nuk pëlqehet nga tifozët, por sipas pronarëve është e vetmja e logjikshme, sidomos në kuadër të “Fair Play-t Financiar” dhe planit për të ndërtuar një Milan të ri, por të paktën, ekonomikisht të përballueshëm.

Paradoksalisht, ndalesa për shkak të Koronavirusit u dhuroi kuqezinjve kohë për të medituar, por pagat e shpërndara në mënyrë aspak proporcionale me të ardhurat, vazhdojnë të jenë një barrë e rëndë për xhepat e “Djallit”.

KAMPIONË – Milanit tashmë i ka mbetur vetëm historia teksa titulli i fundit daton në 2011-ën. Superkupa e 2016-’17, të cilën kuqezinjtë e arritën vetëm me pjesëmarrjen në finale (humbën ndaj Juves) nuk mjafton për të ndryshuar sadopak opinion. Analiza e KPMG është e pamëshirshme për anën ekonomike, çka më pas, pasqyron edhe shkakun madhor se përse kuqezinjtë nuk konkurrojnë dot Juven apo kushërinjtë e qytetit.

milan

Mungesa në Champions rëndon shumë, daton 6 vite më parë e në krye të ekipit ishte Masimiliano Alegri. Që nga marsi i 2014-ës “Djalli” ka nisur një rënie pa fund dhe shkundja e vetme ishte ajo e sezonit të kaluar, kur Gatuzo nuk e arriti vendin e katërt vetëm për një pikë.

Estetika vazhdon të mungojë në Milanon kuqezi dhe kjo karakteristikë do t’i kërkohet Ralf Rangnikut. Gjermani mund të mos jetë një trajner gjenial, mund të mos krenohet për tituj të fituar, por ka treguar se ka një sistem që bazohet mbi zbulimin e talenteve dhe vlerësimin e tyre të mëtejshëm. Pikërisht ajo që i duhet Milanit për të mos vazhduar zhytjen në terr.

Related posts

“AUDI CUP” 2019/ Tottenham mposht “Galaktikët” (VIDEO)

Delo.autor

PRAPASKENA/ Donte RONALDON tek MILANI, ZBULOHET plani “djallëzor” i Mister Li

Isa.Autor

Çështja e nxehtë “Griezmann”/ Barcelona-Atletico, brenda javës mësohet fituesi

Sadik.Autor

Leave a Comment