Nënë, agjente futbolli, tani edhe presidente klubi. Veronique Rabiot, e cila menaxhon karrierën e mesfushorit të Juventusit, tani është në krye të “Luanëve” të Alfortville, një klub i vogël në periferi të Parisit, ku Adrien luante si fëmijë. Një vendim i parashikuar nga i njëjti lojtar dje përmes Instagramit: “Ju mund të mbështeteni tek unë”.
Gazeta “Le Parisien” kujton sot se si Rabiot luajti për disa muaj tek Alfortville në moshën 8-vjeçare. Një pikëtakim i paharruar kurrë edhe nga Veronique, e emëruar presidente nderi. “E lumtur dhe e nderuar me postin”, – shkroi agjentja në faqen e Facebook të klubit të vogël të futbollit, tani shumë në vështirësi.
Në fakt, komuna ka vendosur të favorizojë subjektin tjetër sportiv të vendit, duke ia mohuar fushat e trajnimit Alfortville të Rabiot, themeluar në vitin 1958, por që, sipas kryetarit të bashkisë, nuk ka nënshkruar ende konventat komunale, të detyrueshme për huanë 94.500 euroshe.
I takon presidentes së re që të përpiqet të ndryshojë mendjen e këshillit të qytetit, për të gjetur një fushë, ku lojtarët të stërviten gjatë javës. Një hap për të shmangur shpërbërjen e klubit të vogël, në radhët e të cilit ndoshta fshihet Rabioti i ardhshëm.