Futboll Kategoria Superiore Sport

RENDITJA NË SUPERIORE/ Mbyllet faza e parë, Vllaznia harron humbjen dhe kënaqet me kreun. 4 skuadra me pikë të barabarta

Sfida Partizani-Bylis 0-0 mbylli fazën e parë të Kategorisë Superiore për sezonin 2020-2021. Pas 9 javëve, Vllaznia qëndron në krye të renditjes me 19 pikë. Edhe pse shkodranët sot u mposhtën nga Laçi 1-0, kuqeblutë përsëri ruajtën vendin e parë në tabelë pasi dhe Kukësi u mposht nga Kastrioti me rezultatin 1-0.

Verilindorët nuk mund të ruanin ecurinë e fitoreve ndaj krutanëve duke u mposhtur në fushën e Kamzës nga krutanët. Me humbjen e sotme, skuadra e Skënder Gegës qëndron në vendin e dytë me 16 pikë.

Pas nënkampionëve të Shqipërisë vijnë në bllok 4 skuadra me pikë të barabarta (13). Edhe pse Partizani zhgënjen në 4 ndeshje radhazi, skuadra e Ilir Dajës e mbylli fazën e parë të këtij sezoni me 13 pikë. Të kuqtë barazuan 0-0 me Bylisin, por ajo që shqetëson është fakti se “demat” nuk shënojnë dhe s’fitojnë në 4 ndeshje radhazi.

Kampionët në fuqi Tirana kanë grumbulluar po kaq pikë sa rivalët e përjetshëm. Skuadra e Nevil Dedes u ndal nga Skënderbeu në Korçë 1-1. Bardheblutë i presin të mërkurën një sfidë shumë e vështirë me Kukësin e vendit të dytë dhe fitorja ndaj verilindorëve do të rriste akoma besimin te skuadra për të mbrojtur titullin.

Me 13 pikë vjen në vendin e pestë Teuta, e cila mundi sot Apoloninë në Fier 0-1. Pas 6 barazimeve radhazi, durrsakët besojnë se mund të kenë thyer “mallkimin” e kësaj pjese të parë të sezonit.

Mbresa pozitive lë Kastrioti. Krutanët, të cilët u rikthyen këtë sezon në Superiore, mposhtën pretendentët për kampion Kukësin dhe me 13 pikë në vendin e gjashtë, ekipi i Ramazan Ndreut është brenda objektivave.

Laçi pozicionohet i shtati me 11 pikë, por fitorja ndaj Vllaznisë mund të jetë nisja e serie pozitive te kurbinasit.

Bylisi qëndron në vendin e “play-out” me 8 pikë. Megjithatë, barazimi me Partizanin 0-0 vlen për të treguar se ballshiotët mund të arrijnë akoma më shumë në këtë sezon.

Skënderbeu qëndron në vendin e nëntë me 6 pikë, por me barazimin ndaj Tiranës, optimizmi është rritur në kampin korçar për të dalë nga zona e rënies së Kategorisë Superiore.

Apolonia mbyll renditjen me 5 pikë. Fierakët kanë kaluar një fazë të parë kaotike duke ndërruar 3 trajnerë.

Related posts

KA NJË TË ARDHME PREMTUESE/ Real Madridi refuzon tri oferta për 21-vjeçarin, ja vlera “stratosferike”…

Delo.autor

LIVE/ La Liga: Mbyllet ndeshja Alaves-Barcelona. Rezultati 1-1

Delo.autor

FLET MESFUSHORI FRANCEZ/ Pogba: Nuk më duhet shiriti i kapitenit, një lider nuk është dikush që…

Isa.Autor

Leave a Comment