Bundesliga Futboll Sport

“ME BAYERN DUAM TË VAZHDOJMË TË FITOJMË TITUJ”/ Salihamidžić: Kemi para për Messin por…

Hasan Salihamidžić ka qenë i ftuar special tek “Sport 1” ku ka folur në lidhje me objektivat e Bajernit në këtë sezon. Drejtori sportiv i skuadrës bavareze është vënë në qendër të vëmendjes për merkaton e dobët këtë verë duke sjellë një pakënaqësi te tifozët. Brazo foli dhe për Mesin, i cili u largua pas 21 vitesh nga skuadra e Barcelonës.

Çfarë objektivash ka Bajerni në këtë sezon dhe si është fryma e skuadrës?

Te Bajerni vazhdojnë të luajnë lojtarët më të mirë në Gjermani. Duam të vazhdojmë të fitojmë tituj. Joshua Kimish qëndron në zyrën time çdo ditë dhe më thotë që kërkon të fitojë. Myler, Leva dhe Nojer janë gjithashtu të uritur për të fituar. Ata do të marshojnë përpara dhe të fitojnë Champions-in, për këtë jam i bindur. Skuadra ka qenë dhe do të mbetet gjithmonë kompetitive në të tria kompeticionet. Tifozët duhet të kenë besim te ne dhe të na mbështesin.

Mund ta bëni këtë me Nagelsmanin?

Pas largimit të Flikut donim një trajner të mirë, i cili kishte uri për të fituar. Julian është i tillë dhe mendoj që ai do të bëjë shumë mirë këtu. Aftësia për të rritur lojtarët është një nga tiparet e tij më të mirë. Me të duam të nisim një epokë të re. Julian ka mbështetjen tonë të plotë.

Sa ndryshon ai nga Fliku?

Mund të them që stërvitjet janë të ndryshme. Julian ka ndryshuar shumë mënyrën e stërvitjes. Ai ka sjellë një ndryshim të cilin e kemi dashur të gjithë. Me të qëndroj 5 herë në javë dhe flasim shumë për skuadrën dhe për gjërat që duhet të përmirësohen në stërvitje. Ai është shumë i hapur dhe i sinqertë në komunikim.

Si po shkojnë rinovimet me Goreckën dhe Kimishin?

Këto kohë është duke u përfolur shumë për këta dy lojtarë. Bajerni kërkon të jetë stabël për sa u përket financave dhe në vitet e ardhshme. Jemi duke negociuar me këta dy lojtarë dhe deri tani mund të them që gjërat kanë shkuar mirë. Mendoj që dhe në sezonin e ardhshëm do të kemi 90% të skuadrës që kishim vjet.

Do të ketë merkato?

Me Upamekanonin dhe Riçardsin kemi arritur të sjellim në skuadër dy lojtarë të rinj. Do të shohim se çfarë mund të bëjmë. Merkatoja nuk ka qenë shumë interesante për ne, pasi ka pasur shumë pak lëvizje. Por, nuk do të qëndrojmë në hije dhe nëse del një mundësi do të jemi aty

Si ka qenë marrëdhënia juaj me Flikun?

Hansi dhe unë punuam shumë mirë së bashku në një kohë kur fituam gjithçka. Kemi pasur mosmarrëveshjet tona, pasi i shohim gjërat ndryshe. Por, këtë e kemi bërë me një gotë verë përpara. Jam në kontakt me të, do t’i dërgoj shumë lojtarë në kombëtare (qesh).

Është Mesi një mundësi për Bajernin?

Po flasim për një lojtar të madh, i cili ka lënë gjurmë në futbollin botëror. Financiarisht i kemi mundësitë për të bërë diçka, por mendoj që e ardhmja e tij është diku tjetër, pasi ka një profil ndryshe nga ai i klubit tonë.

Ndërkohë Haland po shkëlqen me Borusian, jeni duke e ndjekur?

60 gola në 60 ndeshje është diçka e madhe për një lojtar në moshën e tij. Mendoj që duhet të jesh i marrë nëse nuk e ndjek atë lojtar. Bajerni i ka sytë tek ai, por për momentin mund të bëjmë shumë pak. Gjithsesi, ai do të vazhdojë të jetë në radarët tonë, edhe pse mendoj që nuk do të jemi të vetmit.

Related posts

Merkato, Barcelona afër mbylljes së transferimit të Arthur

Q.Autor

LUHEN 4 PËRBALLJE NË CHAMPIONS/ Ja cilat skuadra mund të sigurojnë direkt kalimin e fazës së grupeve

Delo.autor

Nisma e derbit, Milani në fushë me një uniformë të veçantë

Sadik.Autor

Leave a Comment